Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i quajti mashtrime të përsëritura deklaratat e kryeministrit Edi Rama gjatë ditës së sotme ku bëri me dije miratimin e vendimit të qeverisë për rritje të rrogave në kategori të ndryshme.
Ai u shpreh se besonte se koalicioni i tij me Berishën do të ishte fitues në zgjedhjet lokale të 14 majit, duke u shprehur se pret fitoren në pjesën më të madhe të bashkive.
“Qytetarët janë mësuar me mashtrimet e përsëritura të Ramës. Ata e dinë sesa falas është shëndetësia sot në vitin e 10 të qeverisjes së tij. Ata e dinë se Rama kujtohet për ta pak javë para ditës së zgjedhjeve. Nuk e harrojnë se përgjegjës për shtrenjtimin e kostos së jetesës si në asnjë vend tjetër të kontinentit është vetëm Edi Rama me shërbimet që i bën klientelës së tij në kurriz të qytetarëve. Opozita synon fitore në qytetet kryesore të vendit, në të gjitha bashkitë ku kandidojmë. Do kemi shumicën dërrmuese në të gjitha këshillat bashkiake të vendit”- u shpreh Meta.