Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot në një aktivitet tek “Air Albania” kandidatët e PS për deputetë në Tiranë, duke nisur së pari me Luljeta Bozon dhe Najada Çomon.
Rama tha se të dyja zonjat e nderuara në dy krahët e tij, e pranuan ftesën për të qenë pjesë e kësaj skuadre si një detyrim qytetar, angazhim profesional dhe se zgjedhja e tyre nuk ishte e rastësishme.
“Por edhe si një akt i cili flet shumë për faktin se sa më shumë partitë politike të kenë ambicien dhe vullnetin për t’u bërë pasqyra të shoqërisë, aq më shumë janë mundësitë që kjo të ndodhë që nivelin më të lartë të përfaqësimit të çdo partie që është kuvendi, njerëzit të identifikohen jo thjesht me një parti, por me vetveten.
Ta gjejnë veten e tyre duke parë në një skuadër profile dhe eksperienca të ngjashme të tyret dhe duke gjetur në këto profile arsyen për të qenë më besimplotë, për të pasur më tepër besim tek politika si një mjet për të realizuar qëllime të mëdha dhe të përbashkëta. Është e qartë që qoftë zgjedhja e Luljetës, qoftë e Najadës nuk janë të rastësishme në një kohë kur jemi detyruar të përballemi me dy sfida të jashtëzakonshme, të cilat e kanë thyer në mes mandatin tonë të dytë”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se “është e paimagjinueshme ta mendosh se çfarë mbështetje, ose çfarë përkujdesje, se çfarë mundësie do kishte sistemi ynë shëndetësor të përballej duke iu qëndruar pranë njerëzve në nevojë, për mjekët e infermierët në nevojë nëse virusi do të kishte zbritur në këtë vend disa vite më parë, kur spitalet dhe sistemi ynë ishin në një gjendje që të thuash e mjerueshme është pak”.
“Sigurisht që prania e Luljetës dhe Najadës në këtë skuadër është nga njëra anë adresimi i nevojës së përfaqësimit tek kategori profesionistësh dhe individësh që kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në këto 15 muaj të fundit nëse nisemi nga tërmeti dhe nga ana tjetër shprehje e vullnetit tonë për të çuar deri në fund përballjet e nisura, qoftë me zhbërjen totale të gjurmëve të tërmetit, gjë që besoj fort do të jetë një realitet deri në pranverën e ardhshme, ku faktikisht do jenë kryer të gjitha punët e nevojshme për të sistemuar të gjitha familjet që kanë nevojë për një shtëpi të re, qoftë për të dalë nga tuneli i kësaj pandemie që ka shtrënguar fort hapësirën e gjithë aktivitetit normal të njerëzve”, tha Rama.