Kryeministri Edi Rama prezantoi programin e Partisë Socialiste për arsimin.
Kryeministri, tha se vizioni i tyre, është ai për 2030, ku në fokus janë përmirësimi i infrastrukturës shkollore dhe rritja e pagës së mësuesve me 40%, brenda mandatit të ardhshëm.
Rama theksoi se qeveria ka përmirësuar hyrjen për në vendin e punës, me platformën “Mësues për Shqipërinë”, ku shtoi se gjithsecili hy në punë përmes meritokracisë. Po ashtu ai u ndal dhe tek renditja për në universitete, ku tha se edhe në këtë kategori, është vendosur një meritokraci dhe përfiton i pari shkollën ai që është më i talentuari dhe i mbushur me 10-ta.
“Imagjinoni njërin, kapni njërin, njërin nga të tre në krye të arsimit dhe merrni me mend fëmijën tuaj, mësuesin e fëmijës, shkollën. Larg qoftë, në duart e kujtdo të këtyre të treve. Jam krenar që PS e çliroi shkollën dhe i ktheu mësuesit dinjitetin e figurës së tij qendrore në shoqëri. Ku vendosi pacenueshmërinë e vendit të mësuesit dhe meritën në rekrutimin e mësuesve të rinj.
Mësuesit e vjetër, në thonjëza, janë të palëvizshëm nga ai vend, me tekat e politikës. Ndërsa të rinjtë e fitojnë vendin e punës përmes një aplikacioni transparent “Mësues për Shqipërinë”. Plot 11 mijë e 78 mësues dhe mësuese janë pjesë e sistemit tonë arsimorë, falë konkurrimit në portalin “Mësues për Shqipërinë” dhe klasifikimin në këtë portal ndër vite.
Nuk ishte para 70 vitesh, por para 7 vitesh, koha e zymtë kur takset shkollore jo vetëm i kushtonin shumë familjeve shqiptare, por gëlonin autorët grraba zhgraba. Favorizonte simpatizimi partiak KÇK, në bërjen e teksteve të shkollës. Në ato tekste të dukej sikur sulmoheshe nga mushkonja, që pickonin dhe nuk linin fillin e mendimit për të marrë radhë.
Librat janë falas sot dhe librat e tyre janë prej shtëpive prestigjioze, shtëpi që furnizojnë me libra fëmijët e Evropës. Sot, e gjithë infrastruktura shkollore është në transformim të vazhdueshëm, deri më sot kemi investuar 130 milionë dollarë, për shkolla të reja, kur mësojnë 114 mijë nxënës. Këtë vit vazhdon pa pushim, me tre turne në të shumtën e herës rindërtimi i 120 shkollave të reja, për 41 mijë nxënës.
Shkolla fantastike, pa asnjë dallim nga shkollat më të mira të BE, falë kontributit të aleatëve kombëtare dhe ndërkombëtare që u mblodhën së bashku për këtë nisje rilindëse pas shkatërrimit të tërmetit. Shkolla, qendra të mirëfillta komunitare. Këto nuk mjaftojnë, vizioni Shqipëria 2030 shkon shumë përpara dhe ambicia jonë është shumë më e madhe, se sa një infrastrukturë e standardeve evropiane.
Më e madhe se klasa ku mësuesit ndihen në vendin e tyre dhe askush nuk guxon tua prekë vendin, ashtu siç ne e kemi për detyrë të ndihen. Nuk mjaftojnë pagat e mësuesve, në mandatin tjetër do t’i rrisim me 40%. Nuk mjaftojnë ata që kemi bërë me universitetet. Universitetet kur këta, e nxorën kokën, sapo dëgjuan fjalën universitet.
Këta që duhet të rikthehen, janë ata që morën në qafë breza studentësh me shit-blerje të diplomës. Duke krijuar sistemin më të kapur nga plagjiatura, duke e kthyer hyrjen në universitet në një biznes, në dëm të talentit, konkurrencës dhe meritës. Jam krenar për një arritje që e kam prekur, jetuar, shijuar, vlerësuar, maturantët pa lekë, pa krushq, pa miq, por ama me 10-ta dhe dije të spikatura.
Që nga majat e maleve deri në qytete. Që falë rivendosjes së konkurrencës dhe meritës, në fakt vendosjes dhe konkurrencës së meritës për herë të parë të këtij tranziciopni, i gjen çdo fundverë në krye të listave hyrëse, zotër të vetes dhe gurë të rëndë në vend të vet” u shpreh kryeministri.