Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do t’u japë pensionistëve shpërblim nga pesë mijë lekë në muajin prill, ndërkohë që do të rrisë edhe pagat mesatare. Deklarata e tij vjen rreth 50 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit.
Deklarata e kreut të qeverisë bie ndesh me Kodin Zgjedhor që parashikon se nuk mund të ketë rritje pagash dhe pensionesh 4 muaj para zgjedhjeve. Në nenin 91 në fakt flitet për zgjedhjet politike dhe këtë pikë kreu i qeverisë e përdori teksa tentoi të bënte një përgënjeshtrim për lajmin e News24.
“Analfabetizmi politik është ku e ku më i keq se sa analfabetizmi real apo ai funksional! Neni që ndalon rritjen e pagave 4 muaj para zgjedhjeve lidhet me zgjedhjet politike, ku flitet për periudhën para krijimit të qeverisë së re. Leximin me zë ua bëjnë pensionistët në 14 maj”, deklaroi Rama.
Por në fakt është Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i cili thotë se fryma e Kodit sugjeron që KQZ-ja të monitorojë sjelljen e institucioneve para zgjedhjeve. Ai e tha qartë në një intervistë për Panorama Tv se kryeministri Rama nuk mund t’i rrisë pagat as para zgjedhjeve lokale, duke thënë se në të tilla raste ka edhe sanksione.