Rama: Respekt për protestuesit. Organizatorët kanë qëllim tjetër

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, kryeministri Edi Rama ka komentuar protestën e opozitës, duke u shprehur se, PD ka kohë që kërkon alibi për humbjen e radhës. “Ata kërkojnë gjëra që nuk varen nga ne. Ne nuk i kemi penguar, madje i kemi kërkuar që çdo shqetësim që ka të bëjë me zgjedhjet të adresohet në komisionin e reformës zgjedhore. Madje, kemi thene se çdo kërkesë e opozitës për të cilën OSBE-ODIHR jep mbështetje, ka automatikisht edhe mbështetjen tonë”, ka thënë Rama. Kreu i qeverisë ka theksuar se, mazhoranca do të vazhdojë intensivisht punën përgatitore për fushatën zgjedhore, ndërsa u ka bërë thirrje deputetëve të tij që të tregohen të kujdesshëm kur flasin për protestën. “Nuk duhet asnjë përçmim për protestën dhe protestuesit. Mos të biem në grackën dhe batakun ku ra Saliu, që denigronte protestat tona. Protestuesit duhet të kenë respektin tonë. Organizatorët e protestës janë çështje më vete, pasi ata kanë qëllime plotësisht të kundërta me ato që thonë. Ata kanë frikë nga Vettingu dhe reforma në drejtesi”, ka thënë Rama. Ai i ka bërë thirrje opozitës që të vijë në Parlament e të votojë ligjin e Vettingut e më pas të vazhdojë protestën. “Vetëm kështu mund të provojnë se kjo protestë nuk ka për qëllim bllokimin e Vettingut. Nëse opozita bojkoton Parlamentin dhe bllokon Vettingun, atëherë del qartë qëllimi i protestës: frika e opozitës nga Vettingu”, ka vijuar Rama. “Nga pikëpamja politike kjo është një dhuratë për ne. Nga pikëpamja e interesit të vendit, kjo është një goditje e rende që synon të shpëtojë prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar nga Vettingu”, ka shtuar ai.

Artikulli paraprakSHKODRA ME NJË QËNDËR TË RE ARTI
Artikulli tjetërPOLICIA GREKE PËR KAMIONIN ME 1 TON KANABIS: KALOI KUFIRIN SHQIPTAR PA PROBLEME