Kryeministri Edi Rama vazhdon të këmbëngulë se shengeni ballkanik nuk e dëmton Kosovën. Në videomesazhin për fundvit, kreu i qeverisë tha se ky shengen është domosdoshmëri historike.

Ai tha se kjo nismë nuk sjell asgjë të re në aspektin e marrëdhënieve politike mes Serbisë e Kosovës dhe as në aspektin e marrëdhënieve politike mes Shqipërisë dhe Serbisë në raport me Kosovën.

Sipas kryeministrit, ka qenë vetë ai që ka bindur Serbinë që mos e kushtëzojë tryezën me asgjë që na ndan Shqipërinë me Serbinë dhe Kosovën me Serbinë.

Rama: Shengeni rajonal është një domosdoshmëri historike sot, kur beteja jonë, por jo vetëm e jona, shqiptarëve, por edhe e krejt vendeve të këtij rajoni është zgjerimi i hapësirës së lirisë së lëvizjes për njerëzit, mallrat, shërbimet, kapitalet veç ata që nuk duan të shohin apo s’dinë ta lexojnë nuk e kuptojnë që shengeni rajonal është rruga e vetme për Shqipërinë dhe Kosovën që të thyejnë barrierën kufitare mes vetit dhe të garantojnë liri të plotë lëvizje mes të dyja shteteve për njerëzit, mallrat, shërbimet dhe kapitale.

Shengeni rajonal nuk sjell asgjë të re në aspektin e marrëdhënieve politike mes Serbisë e Kosovës dhe as në aspektin e marrëdhënieve politike mes Shqipërisë dhe Serbisë në raport me Kosovën. Qëndrimi ynë në këtë drejtim as ka lëvizur dhe as nuk lëviz. Ne jemi një dhe kemi të njëjtin qëndrim. Pikë!

Shengeni rajonal jo vetëm që nuk e dëmton Kosovën dhe betejën politike me Serbinë, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare të drejtë dhe të plotë për njohjen e saj nga Serbia, por përkundrazi e ndihmon. Kush nga zotërinjtë që i fryn këtij zjarri kundërshtie është kundër shengenit sepse parasheh pasoja ekonomike negative për Shqipërinë e Kosovën, thjesht nuk di çfarë flet.

Ndërsa kush është shengenit rajonal për shkak të së shkuarës duhet pyetur si e ndihmoka Kosovën vetëpërjashtimi nga një nismë që ka 5 vjet që diskutohet dhe dakordësohet përgjatë procesit të Berlinit ku Kosova ka qenë e pranishme dhe ka qenë gjithmonë dakord në tryezë.

Ne Shqipëria, kemi arritur të bindim Serbinë. Po po, unë kam arritur të bind Presidentin e Serbisë që as mos e kushtëzojë tryezën me asgjë që na ndan ne me Serbinë për Kosovën dhe që e ndan Kosovën me Serbinë dhe as mos pretendojë që Shqipëria e Kosova të mos e bëjnë marrëveshjen e lëvizjes së lirë në rast se Kosova nuk pranon të bëjë të njëjtën gjë me Serbinë në të njëjtën kohë.

Artikulli paraprakTORTURUAN DHE VRANË MËSUESIN, DËNOHEN ME VDEKJE 29 OFICERË TË INTELIGJENCËS
Artikulli tjetërFLAKËT SHKRUMBOJNË BANESËN, 8 ANËTARË NË QIELL TË HAPUR