Teksa sot shënohet 10-vjetori i tragjedisë së Gërdecit, ku humbën padrejtësisht jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë, kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me një tjetër temë. Ashtu siç e ka kthyer tashmë në rutinë t’iu thotë ‘mirëmëngjes’ qytetarëve, edhe sot ai ka bërë të njëjtën gjë, por me diçka ndryshe.
Duke hequr vëmendjen nga Gërdeci, i pari i qeverisë ka publikuar një video të kreut demokrat, Lulzim Basha, ku në fokus është ndihma ekonomike, një temë që ka ngjallur mjaft debate politike kohët e fundit, pasi opozita pretendon se janë hequr nga skema 20 mijë familje në nevojë.
Rama ka zgjedhur sot pikërisht një video të Bashës, ku ky i fundit shfaqet duke zhvilluar takime me familjet e hequra nga skema e ndihmës ekonomike, ndërsa ‘thumbon’ rivalin e tij politik, teksa shkruan se në video dallohen lotët e krokodilit të politikës së vjetër të së shkuarës.
“MIRËMËNGJES dhe me këtë shembull ku dallohen lotët e krokodilit të politikës së vjetër të së shkuarës, nga përpjekjet e vështira por reale për të mbështetur njerëzit në nevojë në rrugën e të nesërmes, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.