Kryeministri Edi Rama tha se e ardhmja integruese e Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk lidhet me arritjet e vendit tonë, por me politikën dhe situatën e brendshme aktuale në Bashkimin Evropian.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i qeverisë tha se Shqipëria është gati për të hapur negociatat, por e gjitha do të lidhet me pozitën aktuale të BE-së dhe qëndrimet e disa shteteve si Holanda e Franca që në këtë periudhë kanë mendësi të ndryshme për zgjerimin, dhe nuk është më në dorë të Shqipërisë. Rama tha se diskutimet në vendin tonë pro dhe kundër arritjeve të Shqipërisë në rrugën e integrimit janë vetëm një debat për konsum të brendshëm politik.
“A është gati Shqipëria për të hapur negociatat? Besoj që pyetja është legjitime dhe e meriton një debat por kur ngrihet si pyetje retorike dhe pastaj merr atë përgjigjen e lehtë dhe përgjigjja argumentohet me Holandën, apo me kushtet e Gjermanisë, apo Francën, që qenkan më rigorozë se të gjithë vendet e tjera, dhe medemek shikokan më thellë se
Komisioni Evropian që paguhet nga Gjermania, Franca, Holanda e gjithë të tjerët për të parë përditë më thellë, vetvetiu ikim nga thelbi dhe futemi në katundin tonë duke u përpjekur tu themi shqiptarëve secili, që unë jam ai që duhet të dëgjoni dhe besoni dhe jo parafolësi apo parafolësja. Kur ngrihet pyetja a është gati Shqipëria, në raport me kë? Këtu nis një diskutim real, dhe jo një debat i kotë, që në vend të synojë ta fokusojë politikën si e tërë, dhe shoqërinë tek kjo sfidë, në fakt synon të kundërtën.
Të përdorë si argumente për të goditur këtu brenda argumente që në fakt nuk kanë lidhje fare me këtë. Sot cilido nga vendet e BE-së që është tanimë i integruar pas rënies së perandorisë komuniste, do të ishte në pozicionin të futej në BE nuk do të futej dot në BE. Sot cilido nga vendet që është në BE aktualisht, nuk do futej në BE dhe madje vende që ishin në BE përpara rënies së komunizmit, nuk do futeshin dot në BE.
Sot që flasim, Sepse BE është në një debat të brendshëm i cili nuk ka në konsideratë ekspansionin në BE por daljen nga një situatë e cila e ka vendosur BE në pozitë të vështirë në raport me fuqitë e tjera. Dhe sot debati mes Francës e Gjermanisë, apo mes atyre që e predikojnë zgjerimin hapur pa ngrënë arra në dorë, dhe atyre që nuk e duan zgjerimin,
nuk lidhen fare, as me argumentet e përdorura këtu për politike të brendshme, dhe as me Shqipërinë, apo Ballkanin Perëndimor. Shqipëria është shumë më gati për të hapur negociatat seç kanë qenë të gjitha vendet para se të hapnin negociatat. Sepse procesi është bërë shumë më i ndërlikuar dhe shumë më kërkues”, tha Rama.