Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me disa sipërmarrës që sipas tij janë tatimpaguesit më të mëdhenj të vendit.

Gjatë fjalës së tij Rama kërkoi bashkëpunimin e sipërmarrësve dhe kërkoi nga ata ndihmë për të luftuar korrupsionin në administratë. Rama tha se pa ndihmën e tyre qeverisë do ti duhej shumë kohë.

“Të krijojmë një figurë të re në qeveri, figurën e ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen që mund të quhet avokati i sipërmarrjes në qeveri. Për të krijuar kontakte në kohë reale për aspektet e punës tuaj. Miku më i fortë i çdo sipërmarrje të jetë zyrtarisht qeveria dhe mos jetë nevoja për miq në kuptimin tradicional të fjalës, as në tatime dhe as ne dogana dhe askund tjetër. Unë jam i bindur se ju të parët nëse do hapnit zemrën, të jeni të vetëdijshëm për sa shumë grabitqarë dhe parazitë ka akoma në administratën shtetërore. Besoj se jeni të parët që këta grabitqarë ne ti luftojmë së bashku. Është e mundur që qeveria ti luftojë edhe pa ju, por do të zgjasë shumë kohë”, u shpreh Rama.

Më tej Rama u shpreh se sot ka një sipërmarrje që ka filluar të ndryshojë, ndërsa shtoi se duhet të çlirojnë raportin e sipërmarrjes me shtetin. “Ju duhet të bëni propozimet tuaja për çfarë licencash dhe certifikatash duhet të hiqen në dogana apo kur merrni pjesë në gara. Unë nuk mendoj se është e denjë dhe etike që ju të zgjidhni rrugën e shkurtër dhe të bëheni palë me të korruptuarit në sistemin e qeverisjes”, tha Rama. Rama ka paralajmëruar gjithashtu se do të largojë brenda 100 ditëve të para të qeverisë agjendët doganore, duke i konsideruar ata si sekserë që ndërmjetësojnë sipërmarrjen me qeverinë.

“Agjentët e doganës do të largohen brenda 100 ditëve të para të qeverisë. Me ata zhabulanë atje që medemek ndërmjetësojnë proceset mes sipërmarrës dhe shtetit. Një tufë sekserësh që shëmtojnë pamjen, le më të tjerat”, shtoi kryeministri.

Artikulli paraprakASAMBLEJA E PS, DO TË “ZBARDHË” ZV/MINISTRAT
Artikulli tjetërPROMOVIMI I TURIZMIT MALOR, AMBASADORI AUSTRIAK NË RAZËM