Nga Brukseli, në një konferencë për shtyp kryeministri Rama komentoi hapjen e grupkapitullit 6 për marrëdhëniet me jashtë. I pyetur nga gazetarët, Rama tha se nuk ka asnjë kapitull apo paragraf të lehtë me BE, ndërsa theksoi edhe njëherë synimin për të hapur të gjithë grupkapitujt brenda vitit 2025.
“Nuk ka kapitull apo ndonjë paragraf që është i lehtë me BE, çdo gjë duhet të kalojë në një shqyrtim të hollësishëm, me një bashkëpunim të ngushtë dhe nëpërmjet dialogut të përbashkët dhe mirëkuptimit, ne presim siç e kam thënë që ti hapim grupkapitujt, por në të njëjtën kohë s’po gënjejmë veten se kjo ka për të qenë punë e vështirë dhe ne duhet të përmirësojmë çdo hap. Jo vetëm të këmbëngulim në atë që themi, por edhe të përmirësojmë atë që bëjmë. E vlerësoj shumë këtë proces, se sikundër komisonerja e tha shumë mirë, ndihmon vendin të rritet, të piqet të transformohet dhe të bëhet një shtet ku institucionet janë shumë më të rëndësishme se çdo tjetër. Kur i gjithë sistemi punon si një garantues për demokracinë dhe sundimin e ligjit, çdo gjë tjetër funksionon.
Për këtë grupkapitull nuk është fort i vështirë, se Shqipëria ka qenë gjithmonë në harmoni me politikat e BE sa i përket diplomacisë, sigurisë. Edhe vetë shqiptarët janë mbështetës për këto lloj politikash. E kemi bërë të qartë, ne duam të martohemi me BE, të harrojmë të gjitha divorcet e së kaluarës. Nuk ka kthim pas, ka vetëm rrugë para dhe ne duhet t’i japim shqiptarëve atë çfarë po presim që nuk besoj të jetë diçka që po presim me dekada, por me shekuj. Po sjell një fjali të poetit kombëtar, që ka shkrujtur që për shqiptarët dielli lind aty ku perëndon, në perëndim”, tha Rama.