Pas përplasjeve mes artistëve dhe Ministrisë së Kulturës për Teatrin Kombëtar, qeveria ka vendosur ta prezantojë sot publikisht projektin. Në orën 17:00 në sallën e Ekspozitave në Kryeministri do të prezantohet “Projekt-Propozimi i Teatrit të Ri”.
Kryeministri Rama ka shkruar në faqen e tij në “Facebook” se Teatri i ri do të ngrihet mbi gërmadhën e të vjetrit.
Teksa shpërndan fotografi nga gjendja aktuale e teatrit, kryeministri shkruan se projekti është një nisme frymëzuese për një Partneritet Publik-Privat në funksion të kulturës e të zhvillimit ekonomik e social.
Ndërkohë, gjatë seancës së sotme në Komisionin e Medias opozita kërkoi të zhvillohet një seance dëgjimore me ministren e Kulturës Mirela Kumbaro, përpara prezantimit të projektit.
Nuk dihet ende nëse ministrja do të paraqitet në Komision përpara orës 17:00, por me shumë gjasa kjo seancë nuk do të zhvillohet sot.