Kryeministri Edi Rama i ka bërë sërish thirrje SPAK që të hetojë politikanët, gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Ndër të tjera theksoi se kushdo që ka të hapur llogari me drejtësinë, e ka të mbyllur derën e Partisë Socialiste.
“Në vijim të një diskutimi që është ngjallur nga qëndrimi im në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste lidhur me nevojën që SPAK të hetojë në mënyrë gjithëpërfshirëse korrupsionin e politikanëve, gjykatësve, prokurorëve të korruptuar. Disa e kanë quajtur presion mbi drejtësinë, disa frikë nga humbja e pushtetit. Pavarësisht interpretimeve, më e rëndësishmja është që ky diskutim të bëhet sepse SPAK, së shpejti mbush 3 vjet, vettingu dhe pak javë mbush 5 vjet.
Si dikush që për shkak të detyrës e ka udhëhequr politikisht, moralisht dhe vendosmërisht reformën në drejtësi, në emër të forcës politike që i ka dhënë kësaj reforme të gjithë fuqinë e mbështetjes së vet morale, politike, profesionale, që nga pikënisja dhe deri sot por edhe si njeriu që është sulmuar më shumë për këtë reformë, unë besoj se të drejtën në
këtë moment që në njëfarë mënyre mbyll një cikël dhe hap një tjetër, të drejtën që ta ndajë me opinionin publik qëndrimin tim për punët e drejtësisë së re, nuk ma heq dot askush. E kemi treguar se për ne nuk ka të paprekshëm dhe cdokush në radhët tona që me drejtësinë ka një llogari të hapur, derën e kësaj partie e ka të mbyllur”, tha Edi Rama.