Kryeministri Rama i është përgjigjur në Kuvend akuzave të PD se Butrinti do jepet me koncesion. Rama tha se nuk ka asnjë marrëveshje sekrete dhe se çfarë do bëhet me Butrintin, do ta vendosë maxhoranca. Ai ka sulmuar opozitën duke thënë se budallallëkun e kanë ngjitës në familjen e tyre politike. Më tej, me nota ironie, Rama i dha një këshillë opozitës, që ta zgjidhin vetë “krizën e budallallëkut duke u parë në pasqyrë” pasi ai nuk i ndihmon dot.

Rama: Budallallëku në familjen tuaj është sëmundje ngjitëse, se nuk ka si shpjegohet ndryshe që të trashëgohet brez pas brezi, e keni në ADN. Në ADN-së e partisë tuaj që të trashëgoni budallallëkun brez pas brezi. Prandaj jeni katandisur kështu dhe do katandiseni edhe më keq. Vini flisni këtu për vlerat e trashëgimisë, të trashëgimisë tuaj kulturore, ju që kulturalisht jeni kërcënimi më i madh i vendit tonë, jeni agresion permanent mbi shoqërinë tonë. Ju që kulturalisht kërkoni ta riktheni Shqipërinë në kohën kur luftonte me Amerikën.

Njerëzit kur ndahen për shkak mospajtimesh politike, kulturore, estetike nuk i dallon dot. Dallohen vetëm nga fytyra dhe emri, jo nga mënyra si flasin. Ju flisni njësoj. Kartela klinike. Këtë e kam dëgjuar nga ai që ka vdekur (Berisha) dhe tani e dëgjoj si shembullin e asaj që thashë që budallallëku në kopenë tuaj është sëmundje ngjitëse. Nuk ka mundësi që dikush që me demek është kundër tij, flet me gjuhën e tij (Berishës). Pavarësisht se jeni në njërën anë apo në anën tjetër të asgjësë që ju ka ndarë në mes. Unë dua të merrem këtu me thelbin për shkak se vazhdon që fjala juaj, budallallëku juaj të gjejë jehonë nëpër tribuna të ndryshme.

Këtu nuk ka asnjë marrëveshje sekrete dhe se çfarë do të behët me Butrintin e vendosim ne, që e kemi shpëtuar nga ju. E mbaj mend si ishte kur unë jam bërë ministër i Kulturës dhe kemi krijuar për herë të parë Bordin e administrimit të Butrintit. Të jesh i afektuar nga budallallëku do të thotë të jesh në krizë, jo se je budalla. Zgjidheni vetë se unë nuk ju ndihmoj dot. E keni shtrembërim në ADN, flisni mbrapsht. Nuk keni pse fyheni, shikoni veten në pasqyrë.

Artikulli paraprakZELENSKY FLET TË MARTËN NË KUVENDIN E SHQIPËRISË! VIDEO MESAZH PËR MBËSHTETJEN PAS SULMIT RUS
Artikulli tjetërBIMËT MEDICINALE, FERMERËT: RRITJA E ÇMIMEVE NA DËMTOI