Në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile, kryeministri Edi Rama ka kërkuar nisjen e një procesi transparent inventarizimi për dëmet e shkaktuar nga përmbytjet që kanë përfshirë vendin ditët e fundit, me qëllim që të vijohet sa më shpejt me kompensimin e qytetarëve.
Deri në këto momente banorët e prekur janë duke u ndihmuar me ushqime dhe mjete të nevojës së parë, teksa pritet mbështetje e mëtejshme.
Rama: Tani duhet të fokusohemi paralelisht tek identifikimi një për një të të gjitha dëmeve dhe inventarizimi një për një i pasojave duke renditur në radhë të parë banesat, pastaj rrugët, urat, nuk diskutohet shkollat që janë prekur dhe ku duhet ndërhyrë menjëherë që mësimi të nisë sa më parë. Fatura e shdëmtimeve dhe kompensimeve duhet përgatitur me transparencën më të madhe dhe me seriozitetin më të plotë që askush nga njerëzit e prekur dhe nga familjet në nevojë të mos mbetet jashtë listës.
Planet për rivendosjen e situatës normale të infrastrukturës duhen përgatitutr me shpejtësi.E di që ndërkohë ministri i Infrastrukturës ka dhënë udhëzimin që dje për ekspertët e ministrisë që jo vetëm të regjistrojnë pasojat, por edhe të fillojnë një plan masash që sapo të kalojë kriza të fillojmë me rehabilitimet. Edhe njëherë kryeministri bëri krahasimet me 2015.
Rama: Dëmet vazhdojnë të projektohen shumë më të reduktuara sesa gjatë krizës së dy viteve më parë, falë punës pa ndërprerje dhe të mirë koordinuar. Nga radhët e dëmeve infrastrukturore përfshihen dëmetimet e 49 shkollave për të cilat kryeministri kërkoi rehabilitim sa më të shpejtë për arsye të rinisjes sa më shpejt të orëve mësimore. Ndërkohë të shkatërruara janë edhe 13 ura, rindërtimi i të cilave është radhitur si prioritet.
Në mbledhjen e përfaqësuesve kreu i Emergjencave Civile Shemsi Prençi vlerësoi forcat e angazhuara në terren, rritjen e kapaciteteve ndërhyrëse si dhe aftësinë për të parashikuar situatën e vështirë.