Rama të rinjve: Sillni ide inovatore për biznes, qeveria ju mbështet
Në një takim që pati me disa të rinj, sipërmarrës të një biznesi të vogël, kryeministri Edi Rama kërkoi nga të rinjtë që të paraqesin ide të reja për biznes, pasi do të kenë mbështetjen e qeverisë. Rama foli edhe për zerimin e taksës për biznesin e vogël, ndërsa tha se falë saj sot janë të regjistruar 50 mijë bisznese të reja. Kryeministri Edi Rama u ka bërë apel të rinjve që të kenë projekte konkrete për biznes, dhe qeveria do t’i mbështesë me fonde. Gjatë një takimi me disa të rinj sipërmarrës të një biznesi të vogël, Rama tha se rinia nuk duhet ta presë punën në shtëpi, por ta kërkojnë atë. Rama: Ka plot shembuj të tillë sesi kur njeriu ka ide, ka pasion, ka vullnet, nuk ka asnjë arsye të rrijë në shtëpi dhe të presë se po i vjen puna tek shtëpija por mund ta krijojë punën e vetë. Nuk është leku që sjell ide, janë idetë që sjellin lekun. Dhe kush ka ide nuk ka shans që të mos arrijë dot të jetë edhe një njeri që përmes punës së vet, duke vënë idenë e tij në jetë të fitojë dhe të ardhura. Kreu i qeverisë tha se falë heqjes së taksës, sot janë të regjistruara 50 mijë biznese të reja, dhe mijëra të vetëpunësuar. Rama: Ne kemi afro 50 mijë biznese të reja të regjistruara në Shqipëri dhe pjesa më e madhe e tyre janë biznese të vogla që kanë përfituar pikërisht nga zerimi i taksës. Është një situatë shumë e favorshme sidomos për ata që duan të vetëpunësohen. Vetëpunësimi për ne është A-ja. Mes batutash, Rama tha se kur të tërhiqet nga politika, do të bashkëpunojë me të rinjtë në iniciativat e tyre.