Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me një postim lidhur me fshatin turistik të Thethit në Dukagjin dhe punimet e rrugës Qafë Thore-Theth që pritet të nisin së shpejti. Kreu i qeverisë shpërndau në faqen e tij në rrjetin social facebook një video nga zona turistike e Thethit me pamje mahnitëse që ofrojnë alpet atje.
Kreu i qeverisë i njofton se video është postuar me lejen e autorëve që janë të magjepsur pas burimeve natyrore dhe natyrës fantastike të kësaj zone në Shqipëri. Ja se çfarë shkruan kryeministri:
“Me këtë video ekskluzive që postohet me lejen e autorëve Cathy Brown dhe Greg Williams, dy vizitorë të magjepsur nga Thethi, si edhe me lajmin e mirë të nisjes së shpejti të investimit për rrugën turistike të Thethit, ju uroj një javë të mbarë”.
Pak ditë më parë administrata e zonave të mbrojtura në Shkodër bëri të ditur nisjen e punimeve për rrugën Qafë Thore-Theth. Tashmë Banka Botërore e cila është financuesi kryesor i këtij investimi bashkë me firmën përkatëse kanë siguruar të gjitha lejet e duhura, gjë e cila i ka penguar deri më tani dhe tashmë Administrata e Zonave të Mbrojtura bëri të ditur se sapo kanë nisur punimet ndërsa shtoi se:
“Lajm i mirë. Ashtu siç edhe është thënë, sapo nisën punimet për rregullimin e rrugës në aksin Qafë Thore -Theth. Izolimi i banorëve gjatë dimrit nga dëbora dhe turizmi 3 mujor do të mbeten kujtim i së shkuarës sepse për Thethin do të fillojë një epokë e re, më në fund! Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në ketë aks është një përfitim direkt për komunitetin e zonës së Thethit dhe më gjërë, Dukagjinit, lehtësim të aksesueshmërisë dhe pa dyshim rritje të numrit të turistëvë në vitet që vijnë!
Duke ju kërkuar ndjesë paraprakisht për trafikun që do të krijohet nga sot e në vazhdim, shpresojmë në mirëkuptimin tuaj!”
Ndërsa makineritë kanë zbarkuar në afërsi të Qafë Thores sipas burimeve tashmë aksi rrugor nga Qafë Thorja në Theth mund të bëhet i kalueshëm me orare ose duhet parë nëse do të gjendet ndonjë mundësi tjetër. Pavarësisht këtij investimi të rëndësishëm sipas burimeve sërish gjatë muajve të dimrit kur ka reshje bore aksi rrugor do të jetë i bllokuar dhe i pakalueshëm edhe për mjetet e larta çka do të thotë se ende nuk është gjetur një zgjidhje përfundimtare.