Kryeministri Edi Rama vijon reagimet lidhur me protestën politike të artistëve mbështetur nga PD dhe LSI kundër ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar mbi rrënojat e të vjetrit. Pasi risolli deklaratën e aktores Rajmonda Bulku, njëherazi ish-deputete e Partisë Demokratike, Rama ka risjellë një tjetër prononcim të një tjetër personazhi të njohur, Leka Bungos.
Regjisori që para se të largohej në SHBA, në vitet ’90 drejtoi Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, ndërkohë që ka qenë edhe ishte shef i shtypit në Partinë Demokratike është shprehur në 10 maj të këtij viti në një emision televiziv se Teatri Kombëtar duhet të shembet dhe mbi rrënojat e tij të ndërtohet një i ri. Ai tha se teatri aktual nuk ka asnjë vlerë unike dhe se shumica e artistëve duan një teatër të ri.
“Nuk jam për prishjen e Teatrit, por ndërtimin e Teatrit. Duhet teatër i ri pa diskutim, është mëkat, gjynah, i vonuar. Duhet të ishte bërë me vite përpara. Ky që është nuk ka vlerë, nuk ke për cfarë ta mbash. Ky nuk ka vlerë unike si teatër, ai nuk është bërë për teatër, kurrë, asnjëherë. Kjo ide është politizuar, është krijuar një përçarje mes artistëve.
Ne si shqiptarë kemi vështirësi të pranojmë mendimin kundër. Ti (i drejtohet moderatorit) dëgjon ata që janë atje dhe ata jo që janë shumica dhe nuk janë atje” tha ai. Më herët, gjatë ditës së sotme, kryeministri bëri edhe dy reagime të tjera, teksa theksonte se protestuesit janë një minorancë e zhurmshme siç ai shprehet që nuk shprehin opinionin e shumicës dhe se teatri i ri do të ndërtohet, pavarësisht tentativa për ta bllokuar.