Kryeministri, Edi Rama, vlerëson se Komisioni i Venecias ka konfirmuar pa ekuivok drejtësinë e qëndrimit të mazhorancës para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 30 qershorit.
Ai ka ndarë me ndjekësit në facebook, tre nga përfundimet thelbësore sipas tij të Venecias për këtë çështje.
Konkretisht: 1- Presidenti veproi në mungesë të bazës ligjore kur anuloi zgjedhjet dhe vendosi shtyrjen e tyre pa pasur një kompetencë të tillë në Kushtetutë e në ligj.
2-Anulimi i zgjedhjeve dhe më tej shtyrja e tyre cënoi të drejtën e shtetasve për të zgjedhur.
3-Bojkoti elektoral i subjekteve politike, edhe nëse ata përfaqësojnë një pjesë të madhe të votuesve, nuk mund të ndalojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta, përndryshe këto parti do të fitonin mundësinë të pengonin cdo proces zgjedhor.
Komisioni i Venecias publikoi raportin përfundimtar lidhur me anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit, ku thuhej se ka indikacione se veprimet e Presidentit mund të mos kenë qenë të asaj natyre që justifikojnë nisjen e procedurave të shkarkimit.
Në raport, Komisioni i Venecias citonte se edhe nëse Meta tejkaloi kufijtë, nuk mund të fajësohet.
“Në sfondin e një procedure aktuale të fajësimit kundër Presidentit shqiptar Ilir Meta, për shtyrjen e zgjedhjeve lokale përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale, ekspertët kushtetues të Këshillit të Evropës të Komisionit të Venecias konkludojnë se ndërsa Presidenti mund të ketë vepruar përtej fuqive të tij kushtetuese, ka indikacione se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre që justifikojnë nisjen e procedurave të shkarkimit”, thuhej në raport.
Sipas opinionit të miratuar sot, i cili ishte kërkuar nga kryetari i Asamblesë shqiptare Gramoz Ruci, Komisioni i Venecias vëren se Presidenti shqiptar nuk mund të anulojë zgjedhjet pa konsensus politik.
“Edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta ose katastrofa natyrore, Parlamenti do të duhet të miratojë legjislacion ad hoc për të shtyrë zgjedhjet”, thotë Komisioni.