Muaji shtator dhe tetor do të jetë një test i rëndësishëm për socialistët në administratën e bashkive dhe në parti. Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste u ka lënë afat deri në fund të gushtit kryetarëve socialistë të bashkive që fituan në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, të bëjnë organigramat e bashkive, planin e investimeve dhe buxhetimit. Kreu i qeverisë në një takim këtë të premte me drejtuesit e rretheve, tha se administrata ka probleme, dhe se në muajin shtator dhe tetor do të bëhet vlerësimi i të gjithëve.

“Në muajin shtator dhe tetor do të bëhet vlerësimi i të gjithë drejtorëve dhe pastrimi i atyre që nuk kapin ritmin në Partinë Socialiste. Të bëhet vlerësimi i çdo punonjësi në bashki. Të bëhet analizë e strukturave dhe shërbimeve të institucioneve lokale. Të shikohet kontributi i drejtorëve në Partinë Socialiste”, mësohet tu ketë lënë porosi kryetarëve të Bashkive kryeministri Rama.

Kryesocialisti mësohet të ketë kërkuar që vendimet për emërimet e drejtorëve në bashki të merret në Këshillin rajonal me argumente të forta.

Pas marrjes së drejtimit të 61 bashkive të vendit pas zgjedhjeve të 30 qershorit, kryeministri Edi Rama mori në dorë veriun e vendit, përkatësisht Lezhë-Shkodër-Dibër-Kukës.

Artikulli paraprakSHQIPËRIA HEQ VIZAT ME SHTETIN NË KARAIBE QË NJIHET SI PARAJSË FISKALE
Artikulli tjetërBASHA NË HIMARË: SONDAZHET E NXJERRIN OPOZITËN SHUMICË QEVERISËSE