Kryeministri Edi Rama uroi sot një vit të mbarë shkollor për nxënësit dhe mësuesit.
“Sot, kur dyert e shkollës janë çelur dhe një rrugëtim i ri i dijes sapo ka nisur me himnin kombëtar, u dërgoj një urim të përzemërt për sa më shumë sukses e mbarësi të gjithë fëmijëve, nxënësve, mësuesve e prindërve të gjithë Shqipërisë”, tha Rama në një postim në rrjetet sociale.
Në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar ka nisur sot viti i ri shkollor 2022-2023.
Për herë të parë në shkollë do të shkojnë rreth 29 mijë nxënës, ndërsa në klasat e 10-ta rreth 27 mijë nxënës.
Ndërkohë që ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat e vendit ka nisur me himnin e flamurit duke çelur siparin e vitit të ri arsimor. Himni kombëtar do të vijojë të këndohet çdo të hënë në të gjitha shkollat tona.