Kryeministri Edi Rama ka përgëzuar Jakov Milatoviç që u zgjodh presidenti i ri i Malit të Zi. Në mesazhin e tij në Twitter, Rama thotë se mbështetja që mori nga zgjedhësit u ktheftë në më shumë mbarësi për Malin e Zi.

“Urime Presidentit të sapozgjedhur të Malit të Zi Jakov Milatoviç dhe mbështetja domethënëse që ai mori nga zgjedhësit u ktheftë në sa më shumë mbarësi për vendin fqinj, me të cilin na lidh pazgjidhshmërisht e shkuara, e sotmja dhe e ardhmja”, shkroi Rama.

Kush është Jakov Milatoviç

Jakov Milatoviç u zgjodh president i ri i Malit të Zi duke rrëzuar nga ‘froni’ pas 3 dekadash Milo Gjukanoviçin. Në fjalimin e tij të parë si president malazez, Milatoviç tha: “Sonte është nata që kemi pritur për më shumë se 30 vjet, kjo është fitorja e Malit të Zi të pajtuar.” Ai u lind në Podgoricë, në dhjetor të 1986. Pasi përfundoi studimet për Ekonomi në Universitetin e Podgoricës, Milatoviç kaloi një vit si studiues në Universitetin Shtetëror të Illinoisit në SHBA, dhe më pas vazhdoi studimet në Vjenë dhe Romë. Mori diplomën në nivelin master në ekonomi në Oksford. Pas studimeve akademike, ai punoi në një bankë rajonale dhe më pas në Deutsche Bank, para se t’i bashkohej Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim si ekonomist në Londër dhe Podgoricë. Në zgjedhjet e 2020 ai fitoi një ulëse në Parlamentin e Malit të Zi, ku fitoi shumica pro-serbe dhe pro-serbe ortodokse. Milatoviç la punën jashtë vendit dhe u bë ministër i Ekonomisë në Qeverinë “teknike” të kryeministrit Zdravko Krivokapiç dhe ishte një prej “12 dishepujve” në Qeverinë që u formua në negociatat e përcjella nga afër nga Kisha Ortodokse Serbe. Në Qeveri, Milatoviçit shumë shpejt iu bashkua edhe ministri i Financave, Millojko Spanjiç. Të dy shumë shpejt treguan se kishin aftësi të fitonin simpatinë e populistëve duke u bërë arkitektë të një skeme reformash me rritje pagash. E quajtur si “Evropa Tani”, dyfishoi pagën minimale nga 222 euro në 450 euro dhe atë mesatare nga 530 euro në 670 euro. Ai sugjeroi se shteti mund të arrijë të ketë “një pagë mesatare mujore prej 1.000 eurosh ”.

Artikulli paraprakEKSPORTI I GRURIT, RUSIA: MARRËVESHJA MUND TË ZGJATET, POR VETËM NËSE …
Artikulli tjetërNDIKIMI RUS, KINA DHE FRANCA RIAFIRMOJNË ANGAZHIMET BËRTHAMORE