Rama, Vuçiç dhe Mustafa darkojnë së bashku në Sarajevë
Për herë të parë kryeministri Edi Rama, ai serb Aleksandar Vuçiç dhe kreu i qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, kanë darkuar mbrëmjen e kësaj të mërkure në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnje Hercegovinës. Të tre krerët e qeverive janë të ftuar nga kryeministri boshnjak, Denis Zvizdiç, i cili ka organizuar një darkë informale në prag të samitit të kryeministrave të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku do të diskutohen projekte rajonale që lidhen me transportin dhe infrastrukturën energjetike, si dhe bashkëpunimin në fushën e arsimit. Takimi është zhvilluar në restorantin e famshëm në Sarajevë, “Libertas”. Në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor i cili do të zhvillojë punimet në Trieste në muajin korrik, do të marrë pjesë Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn si dhe ministri i Jashtëm italian, Angelino Alfano, vendi organizator i këtij samiti.