Kryeministri Edi Rama ka treguar gjatë një fjalimi të mbajtur në universitetin e Bergamos, se si arriti të merrte vaksina fshehurazi nga Italia pavarësisht ndalimeve të Pfizer, në bashkëpunim edhe me ish-ministrin e Jashtëm Italian në atë kohë, Luigi Di Maion. ‘Një operacion kontrabande vaksinash i kryer nga dy ministra’: kjo është historia që kryeministri shqiptar Edi Rama bëri publike gjatë fjalimit të tij me temë ‘Kultura do të shpëtojë botën’, në samitin tre ditor të organizuar nga ‘Semi-Stories ofe Exellence’, shkruan Corriere Della Sera. Teksa tregonte historinë, Rama i referohej ministrit të Jashtëm Luigi Di Maio, i cili ishte ulur në rreshtin e parë në ‘Aula Magna’ të Universitetit të Bergamos, në atë që ishte një nga daljet e tij të para publike pas humbjes së tij në zgjedhje.
‘Sot do të them diçka që askush nuk e di’, vazhdoi Rama. ‘Unë jam shqiptaro-italian, Di Maio napolitano-shqiptar, kemi bërë bashkë një operacion kontrabande. Çfarë italiani apo shqiptari jeni nëse jeni gjithmonë në përputhje me ligjin?’. Rama iu kthye periudhës kur Covid-i goditi fort Shqipërinë: ‘Njerëzit kishin frikë dhe ne mbetëm si peshku pa ujë, pasi nuk po siguronim vaksina anti-Covid. E pyeta Luigin: a mund të na japësh doza të paktën për mjekë dhe infermierë? Pfizer kishte një kontratë shumë kapitaliste me qeveritë: Unë ju jap vaksinat, por ju nuk mund t’ia jepni askujt. Luigi tha: Do të ishte një gjë shumë serioze! Por ne e bëmë këtë me shërbimet sekrete: dy ministra që i kalonin mallrat kontrabandë njëri-tjetrit për të shpëtuar njerëzit. Më pas nuk mund t’i fshihnim vaksinat, duhej t’i administronim edhe ato. Avokatët e Pfizer kërcënonin me padi dhe donin të dinin se si i morëm ato, por ne thjesht thoshim: nga një vend mik.”. Rama e qetësoi më në fund Di Maion për çdo polemikë: “Luigi, tani je njeri i lirë”. Duke u ndalur tek aktiviteti i organizuar në Bergamo, Luigi Di Maio, u shpreh se ‘është një burim krenarie dhe se në moment historik është një mundësi e shkëlqyer për të ndërtuar ura mes dy vendeve dhe për të zbuluar se jemi më afër se sa mendoni’.
Në fjalën te tij kryeministri Edi Rama foli për situatën politike shqiptare dhe marrëdhënien me Italinë që në ditët e diktaturës kur të rinj si ai shkuan në Vlorë jo për detin, por për të ndjekur programet televizive italiane. Rama e quajti Shqipërinë “një Itali më të ngatërruar” dhe tha se nuk mendon se do të ketë probleme me qeverinë e ardhshme italiane: “Nuk kemi pasur kurrë probleme në të kaluarën me asnjë lloj qeverie, si me të majtën ashtu edhe me të djathtën, sepse ne i përkasim të njëjtës histori.” Rama u shpreh optimist për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian: “Jemi përpjekur shumë herë, por është si të organizojmë një dasmë dhe nusja nuk del. Shumë vite diktaturë na kanë bërë vendin më të largët nga Rusia (nuk kemi nevojë të aplikojmë sanksione, e kemi bërë që nga viti 1990) dhe më të afërmit me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara: jemi më pro-amerikanë se Teksasi. Për BE-në tani jemi më të qetë sepse tashmë ka pasur zgjedhje në vende si Franca dhe Holanda: një ministër para dhe pas zgjedhjeve janë dy njerëz të ndryshëm, qëndrimi është i ndryshëm”.
Edi Rama theksoi se ftesa në Bergamo është nga të paktët që e ka pranuar: “Unë kisha dërguar tashmë tridhjetë infermierë atje gjatë pandemisë dhe sot solla personalisht një artist, që jam unë. Bergamo është një realitet spektakolar, ju duhet të ndiheni të lavdëruar nga Zoti që keni lindur në Bergamo”.- tha Rama.