Kryeministri Edi Rama me rastin e nisjes së vitit të ri akademik nga Fakulteti i Mjekësisë, deklaroi se të duash artin e mjekësisë do të thotë të dashurosh njerëzimin, pasi shtoi se nga mjeku kërkohet që të bëhen mrekullie dhe kur mrekullitë nuk janë të mundshme, i kthehen mjekut në kosto jo të vogël në raport me njerëzit.
Në këtë drejtim ai tha se në vendin tonë është mjaft e vështirë vendosja e një raporti të shëndetshëm mes mjekut dhe pacientit.
“Përtej asaj që ka qenë dhe mbetet gjithmonë baza e patundur e vlerave të këtij universiteti, që është eksperienca e shumë e shumë viteve, sot ne mund të themi se universiteti është në një gjendje shumë më të mirë nga sa ishte dje. Natyrisht duhet ende shumë përpjekje”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se do të bëhet gjithçka që QSUT të përmbyll një proces transformimi epokal, duke nënvizuar se nëse shihet sot ka ende zona gri apo boshllëqe të konsiderueshme, por nëse kthehet koka pas se nga u nis transformimi, tha se nuk është e vështirë të pohohet se sot jemi si dita me natën në raport me 5-6 vite më parë.
Kryeministri tha se së shpejti do të çelet edhe spitali i ri i Kirurgjisë, për të cilin shprehu bindjen se do të vendosë një standard të ri në sistemin tonë shëndetësor, si dhe për të motivuar gjithë trupën dhe për të lehtësuar kalimin e dijes dhe eksperiencës tek më të rinjtë.
Ai nënvizoi se ministri ka një plan të bashkërendeuar me drejtuesit e Universitetit për të kompletuar gjithë elementët e logjistikës që iu shërbejnë studentëve në punën e përditshme.
“Një urim për gjithë vajzat dhe djemtë që sot fillojnë shkollën dhe për gjithë ata që e vazhdojnë, me garancinë që ne do bëjmë çmos në mënyrë që jeta juaj në kohën e studimeve të jetë më cilësore. Me këtë urim dua t’iu them se tanimë e kemi hapur një rrugë të re për gjithë ata që janë më të mirët dhe synojnë të kontribuojnë qoftë në institucionet e gjithë kësaj sfere që është shëndetësia, edhe në praktikën spitalore. Sot ne kemi një numër të konsiderueshëm ekselentësh që janë përfshirë në punë në sajë të kontributeve të tyre.
Një thirrje e re është hapur duke e shtrirë gamën e prurjeve deri në vitin 2015, për gjithë ata që kanë përfunduar me rezultate të shkëlqyera dhe kushdo që nga ky universitet del me rezultate të mira do e ketë rrugën e hapur se çdo vit do të forcohet më tutje kjo marrëdhënie e drejtpërdrejtë me tregun e punës dhe institucioneve tona”, deklaroi Rama.