Zyra e kryeministrit të Kosovës hodhi poshtë pohimet se kryeministrit Ramush Haradinaj i është refuzuar viza për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët e qeverisë thanë se kryeministri ishte ftuar të marr pjesë më 11 janar në një ceremoni të organizuar në shtetin amerikan të Iowa-s. Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, zyra e kryeministrit të Kosovës tha se “Nuk ka asnjë refuzim. Ka pasur një vonesë në procedura të përgatitjes kur bëhet fjalë për Iowa.

Por, tani gjithçka është ende në procedurë të pritjes”, thuhet në përgjigjen e zyrës zë zotit Haradinaj, por pa dhënë shpjegime të tjera. Mediet në Kosovë ka disa ditë që kanë njoftuar për mundësinë që atij t’i jetë refuzuar viza, ndërsa vet kryeministri Haradinaj, i cili nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook thotë se“Pres edhe për vizë deri kur të ma japin.

I besoj Kosovës! I besoj Amerikës! Jam ende në procedurë për vizë”, thuhej në postimin e tij. Vëzhguesit në Kosovë thonë se vonesa për marrjen e vizës mund të jetë reagim ndaj nismës së fundit të dhjetorit për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme, një veprim ky që kishte ngjallur reagime të ashpra të ambasadorit amerikan në Prishtinë por edhe Departamentit Amerikan të Shtetit si dhe të vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Artikulli paraprakNJË PROGRAM PËR TË KUFIZUAR PËRDORIMIN E TELEFONAVE NGA FËMIJËT?
Artikulli tjetërPYLL TROPIKAL “ME POROSI”