Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se ka zgjedhur që të mbrohet në heshtje. Ai u paraqit sot për intervistim pranë Prokurorisë Speciale për Krime Lufte të Kosovës, në cilësinë e të dyshuarit.

Haradinaj udhëtoi drejt Hagës, ku edhe vepron Prokuroria, të martën, katër ditë pasi dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës, për shkak të, siç tha, ftesës për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.

Prokuroria Speciale është një nga dy dhomat e Gjykatës Speciale që i trajton pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës, në periudhën 1998-2000.

Haradinaj ka qenë komandant i UÇK-së dhe kjo është hera e dytë që ai jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit për t’u përballur me drejtësinë në Hagë.

Hera e parë ka ndodhur në vitin 2005, kur është akuzuar për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Haradinaj është liruar dy herë nga akuzat që lidhen me luftën: në vitin 2008 dhe pastaj në rigjykim të pjesshëm, më 2012.

Duke shpallur vendimin për dorëheqje të pakthyeshme më 19 korrik, ai tha se “nuk do që të shkojë në Hagë si udhëheqës qeverie, por si qytetar i Kosovës”.

Prokuroria Speciale, nga janari i këtij viti, ka intervistuar dhjetëra ish-luftëtarë, por Haradinaj paraqet zyrtarin më të lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe të institucioneve të Kosovës që do të merret në pyetje nga hetuesit.

Ngjashëm është edhe rasti i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i UÇK-së.

Krasniqi ka hyrë në ndërtesën e Prokurorisë Speciale, ku do të intervistohet.

Ftesa për intervistim këto ditë morën edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, ish-anëtari i këtij shtabi, Sokol Bashota, ish-shefi i një zone operative, Shukri Buja, e të tjerë.

Kuvendi i Kosovës e miratoi ligjin për formimin e Gjykatës Speciale në gusht të vitit 2015, ndërsa Gjykata u bë plotësisht funksionale në korrik të 2017-ës.

Gjykata është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por statutet e saj u lejojnë prokurorëve që t’i zhvendosin procedurat jashtë vendit.

Vendimi për themelimin e saj pasoi publikimin e një raporti nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, në të cilin u tha se ka prova të mjaftueshme për të hetuar krimet që supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të UÇK-së kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit, gjatë dhe para luftës së viteve 1998/99.

Formimi i Gjykatës nxiti pakënaqësi dhe çoi në protesta të veteranëve të UÇK-së. Në fund të vitit 2017, pas një peticioni me mbi 15 mijë nënshkrime, një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës ndërmori një nismë për shfuqizimin e Gjykatës, por ajo dështoi pas disa javësh presion politik nga bashkësia ndërkombëtare.

Ekspertët e së drejtës penale ndërkombëtare thonë se pas intervistimeve në Prokurorinë Speciale, pritet të ngrihen edhe akuza.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 22 korrik, Haradinaj tha se ai “e ka dëshmuar pafajësinë e tij dy herë” dhe se ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit, të cilën e mbajti nga viti 2017, “për ta ruajtur nderin e shtetit dhe të kryetarit të qeverisë”.

Haradinaj, i cili udhëheq Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, po ashtu tha se Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, për të dalë nga gjendja në të cilën është.

Edhe partitë tjera, si në pushtet, ashtu edhe në opozitë, i shohin zgjedhjet si të pashmangshme, por presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka dalë ende me ndonjë vendim për to. REL

Artikulli paraprakTENSIONET TEK TEATRI KOMBETAR, REAGON LORENC LUKA
Artikulli tjetërNDODH PËR HERË TË PARË NË VETTING! PROKURORI I APELIT SHKODER ‘DËNOHET’…TË KTHEHET SËRISH NË SHKOLLË!