Kryeministri Edi Rama dhe lideri i partisë AAK, Ramush Haradinaj është takuar këtë të enjte në Tiranë. Lajmin e ka bërë të ditur Haradinaj ku ka postuar edhe disa foto me kreun e qeverisë. Haradinaj shkruan se ka qenë një takim vëllazëror dhe se takimi kishte në fokus sfidat e Kosovës dhe procesin e dialogut.
‘Sot në Tiranë një takim vëllazëror me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Diskutuam për zhvillimet që po kalon Kosova, Shqipëria dhe rajoni dhe për proceset që na presin, veçanërisht për sfidat e Kosovës në çështjet që kanë të bëjnë me dialogun, sigurinë dhe perspektivën e integrimeve euro-atlantike.
I kërkova kryeministrit shqiptar që në të gjitha nivelet e bisedave me faktorin ndërkombëtar e kombëtar të ndihmojë në tejkalimin e sfidave që i ka Kosova dhe të përshpejtojë integrimin e saj.
E falënderova përzemërsisht për kujdesin e tij dhe të Shqipërisë në këtë periudhë jo të lehtë që po kalon Kosova.’- shkruan Haradinaj.