Raporti i fundit i Departamentit Investigativ i Antimafias italiane , informon se numri i shqiptarëve të arrestuar për bashkëpunim mafioz e organizim kriminal përgjatë gjysmës së parë të vitit 2018 është më i larti mes komuniteteve të huaja ekstrakomunitare në Itali.

Sipas Raportit të DIA-s, janë 201 shqiptarë të arrestuar nga 1 janari deri në 30 qershor të 2018 të akuzuar për pjesëmarrje në organizim mafioz, pjesëmarrje në organizim kriminal me qëllim trafikim lëndësh narkotike e pjesëmarrje në organizim kriminal me aktivitet kontrabande.

Numri më i lartë i shqiptarëve të arrestuar është regjistruar në rajonin e Lombardisë me 71 arrestime e në rajonin e Venetos me 31 të vënë në pranga.

Pas shqiptarëve në vend të dytë vijnë shtetasit me kombësi nga Afrika e Veriut me 180 persona të arrestuar.

Ndërsa në renditjen e përgjithshme ku janë përfshirë dhe të arrestuarit nga vendet komunitare evropiane, shqiptarët e arrestuar nga DIA renditen të dytit në numër pas atyre rumunë me 260 persona të arrestuar.

Numri i shqiptarëve të arrestuar nga Antimafia italiane gjatë gjysmës së parë të 2018 ka shënuar një rritje të dukshme në krahasim me gjashtëmujorin e mëparshëm. Në gjysmën e fundit të vitit sipas DIA-s janë arrestuar 107 shqiptarë pra rreth 94 më pak se sa është numri i tyre në raportin e fundit.

Gjithashtu duke iu referuar një analize të tërthortë të statistikave ndër vite të DIA-s, shfaqet se shqiptarët e arrestuar për organizim mafioz e kriminal në Itali në gjashtë muajt e parë të 2018 kanë shënuar numrin më të lartë në 4 raportet e fundit semestrale të Antimafias.

Ndërsa numri më i lartë i tyre është shënuar gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2016 me plot 310 shqiptarë të arrestuar nga Antimafia italiane, e numrin më i ulët është regjistruar në gjysmën e dytë të vitit 2017 me 107 shqiptarë të arrestuar.

Artikulli paraprakTREGTARI SHQIPTAR KAPET NGA KARABINIERËT ME 30 MIJË EURO KOKAINË
Artikulli tjetërABUZOI ME 300 FËMIJË DHE I SHPËRNDAU NË INTERNET, BURGOSET PËR 60 VITE