Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka prezantuar raportin e BERZH për periudhën 2022-2023 duke përmendur rritjen e pagave dhe konsumit. Sejko u shpreh se inflacioni në trajektore rënëse kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024.
“Politikat tona ekonomike ndihmuan në ruajtjen e një niveli relativisht të ulët të inflacionit krahasuar me vendet e rajonit, në uljen e pasigurisë, si dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar. Projeksionet tona sugjerojnë se inflacioni do të vijojë trajektoren rënëse gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024. Për më tepër, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë kësaj periudhe, ndërsa bilancet e bizneseve e familjeve pritet të mbeten – në tërësinë e tyre – të shëndetshme.
Pavarësisht kësaj tabloje, sfidat mbi ekonomitë në tranzicion mbeten ende prezente. Raporti i Tranzicionit me të drejtë nënvizon se konfliktet dhe tensionet gjeopolitike sjellin pashmangshmërisht ndryshime të rëndësishme strukturore.
Së pari, këto konflikte shoqërohen me rritje të emigracionit, me pasoja afatgjata si për vendet pritëse dhe për ato të origjinës. Si një vend me histori të pasur emigracioni, Shqipëria ka përjetuar si anët pozitive ashtu edhe ato negative të tij. Nga njëra anë, ky fenomen ka gjeneruar flukse hyrëse valutore dhe rritje të përgjithshme të dijeve e të ekspertizës, të cilat janë të domosdoshme për zhvillimin e vendit. Nga ana tjetër, ai pakëson forcën e punës – sidomos në segmentet më të kualifikuara të saj – dhe dëmton perspektivat e rritjes afatgjatë. Për këtë arsye, mendoj se nevojitet një koordinim më i mirë në nivel ndërkombëtar, për t’u kujdesur që përfitimet e ardhura nga emigrimi dhe lëvizja e lirë e njerëzve, të ndahen në mënyrë sa më të drejtë midis vendeve.
Së dyti, tensionet gjeopolitike pasqyrohen në rritje të proteksionizmit, fragmentarizim të zinxhirëve të prodhimit dhe riorientim të flukseve të investimeve të huaja direkte drejt vendeve mike, si dhe frenim të procesit të globalizimit.
Së treti, tensionet gjeopolitike ulin vëmendjen ndaj reformave strukturore, të cilat kanë qenë dhe mbeten instrumenti i vetëm për një rritje më të shpejtë e më të qëndrueshme ekonomike.
Sa më sipër, detyra e politikëbërësve, në nivel kombëtar e ndërkombëtar, është t’i njohin këto sfida dhe të kujdesen për minimizimin e pasojave të tyre. Në veçanti, kryerja e reformave strukturore, e cila është ngadalësuar që prej nisjes së pandemisë në të gjitha vendet e rajonit, duhet të rikthehet si prioritet kombëtar strategjik për të gjitha vendet në tranzicion. Ndjekja e kësaj politike do të mundësonte si shuarjen e efekteve të mundshme negative në afat të gjatë, ashtu edhe nxjerrjen e disa përfitimeve ekonomike”, tha Sejko.