Shqipëria vijon të mbetet një prej prodhueseve kryesore të kanabisit në Europë, pavarësisht operacioneve për shkatërrimin e dhjetëra hektarëve të mbjellura me bimë narkotike në Lazarat gjatë verës së vitit 2014.
Është ky lajmi që vjen nga raporti më i fundit i publikuar nga Qëndra Monitoruese Europiane për Drogën dhe varësinë nga Droga. Në dokumentin e publikuar theksohet se situata mund të ketë ndryshuar disi me operacionet e kryera, por Shqipëria, së bashku me Serbinë, Bullgarinë dhe Kosovën, mbeten një prodhues masiv i kanabisit. Destinacionet më kryesore të tregtimit të kësaj lënde narkotike janë Greqia, Italia, Holanda, Hungaria, Republika Ceke si dhe Austria. Megjithatë, theksohet se kanabisi shqiptar tregtohet në një sasi të konsiderueshme edhe në Francë e në Gjermani. Raporti komunikon se trafikantët më të mëdhenj të kanabisit në Europë janë ata marokenë të cilët garantojnë transportin si dhe shitjen në tregjet e kontinentit të vjetër. Raporti komunikon se në shumicën e rasteve, këta trafikantë bashkëpunojnë me prodhuesit shqiptarë. Personat me origjinë shqiptare janë gjithashtu një prej trafikantëve kryesorë të heronës së bashku me shtetasit turqë dhe ata pakistanezë. Në dokument thuhet se këto grupe kanë krijuar rrjete mjaft të fuqishme si dhe organizata kriminale të cilat favorizojnë transportin e jashtëligjshëm të heroinës si dhe tregimin e saj. Në terma të përgjithshëm, raporti gjykon se europianët shpenzojnë cdo vit 24 miliardë euro për drogëra të jashtëligjshme. Zyrtarët kanë gjykuar se kjo shifër është shqetësuese dhe se është mjaft e nevojshme që të merren masa sa më shpejt për të paralizuar rrjetet e trafikut të lëndëve narkotike.