Raporti i Frontex: Shqiptarët të parët per falsifikim dokumentash
Shqiptarët kryesojnë listën e falsifikatorëve të dokumentave të udhëtimit drejt hapësirës Shengen dhe ishujve britanikë, sipas raportit të fundit të Frontex për vitin 2016 dhe katër muajt e parë të vitit 2017. Gjatë vitit 2016 shqiptarët kanë paraqitur 359 pasaporta të falsifikuara për të hyrë në kufijtë Shengen, ndërsa në muajt e parë të vitit 2017 kanë tentuar mashtrimin me dokumente udhëtimi 91 shqiptarë. Një e treta e udhetarëve shqiptarë me pasaporta të falsifikuara janë zbuluar në rrugëtimin drejt Britanisë së Madhe dhe Irlandës sidomos nga aeroportet italiane, gjermane dhe spanjolle. Kosova renditet e dyta me dyqind shtetas që kanë tentuar kalimin në Shengen gjatë vitit 2016 me pasaporta të falsifikuara të vendeve anëtare të BE-së. Ndërsa shqiptarët kanë preferuar të falsifikojnë dokumenta udhëtimi italiane, greke apo rumune, kosovarët kanë preferuar masivisht ato zviceriane. Pas ukrainasve, shqiptarët zenë vendin e dytë për refuzimin e hyrjeve në kufijtë Shengen ndërsa renditen të parët për kthimin me forcë të atyre që kanë mundur të hynë ilegalisht në BE. Të parët renditen shqiptarët dhe për falsifikimin e pasaportave të tyre biometrike. Në vitin 2016 janë kapur 266 shtetas të huaj që kanë tentuar ta përdorin pasaportën shqiptare të falsifikuar ndërsa në muajt e parë të vitit 2017 janë 47 shtetas të huaj të tillë. Lista vijon me falsifikatorët serbë dhe ata turq. Surprizë në raportin e Frontex përbëjnë një numër pasaportash të falsifikuara kubaneze rreth 11 në vitin 2016 dhe 7 të tilla në muajt e parë të vitit 2017, të përdorura për të hyrë në ish republikat jugosllave, me të cilat vendi komunist ka marrëveshje prej kohës së qeverisjes së Josif Broz Titos