Organizata “Intelektualët e Rinj Shpresë” përmes një raporti për transparencën e klubit të futbollit Vllaznia sh.a bën të ditur se kjo shoqëri aksionere duhet që sa më shpejt të nisë procedurat për shpalljen e falimentit.
Sipas raportit të IRSH prej 5 vitesh Vllaznia sh.a del me humbje duke detyruar shpalljen e falimentit. Ky raport sjell edhe një sërë shkeljesh të tjera, kaosin në statut dhe paaftësinë e hallkave të tjera drejtuese. Shoqëria Aksionere Vllaznia sh.a duhet sa më shpejt që të nisë procedurat për shpalljen e falimentit sepse janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për ta bërë një gjë të tillë. Ky është përfundimi i një raporti të bërë nga organizata “Intelektualët e Rinj Shpresë” për transparencën në klubin e futbollit Vllaznia sh.a. Në periudhën maj-shtator të këtij viti IRSH ka dërguar 7 kërkesa pranë bashkisë Shkodër dhe vetëm njëra është kthyer brenda afatit ligjor. Sipas raportit nuk ka informacion për strukturat e pagave apo nuk është e përcaktuar roli i drejtorit sportiv, zëdhënësit të shtypit dhe financierit ndërsa nuk ka asnjë rregullore të brendshme për punësimin. Nuk ka të dhëna për buxhetin dhe planin e shpenzimeve por s’ka të dhëna as për kontratat e lidhura ku bëjnë pjesë natyrisht edhe futbollistët ndërsa mungon këshilli i punëmarrësve. Një pasivitet ka edhe për Këshillin Mbikqyrës kur për 9 muaj ka vetëm një vendim të marrë. Në raport nuk rezulton një rol aktiv i administratorit sepse nuk ka kërkuar analizimin e situates financiare të shoqërisë. Rezulton se levizjet e administratorëve janë kryer pa një arsyetim ligjor. Në statut, objekti i shoqërisë është krejtësisht i paqartë dhe nuk i përgjigjet në mënyrën e duhur qëllimit të krijimit të një shoqërie tregtare për arritjen e objektivave ekonomike. Në statut nuk parashikohet mënyra e fitimit dhe e kalimit të aksioneve. Vllaznia sh.a funksion jashtë kornizës ligjore dhe çdo vit financiar mbyllet me humbje. Nga ana e Bashkisë nuk rezulton të jetë marrë qoftë edhe një masë administrative ndaj përgjegjësve! Vllaznia sh.a ka humbje neto 72 milion lekë të reja gjatë 2015-ës, 55 milion lekë të reja gjatë 2014-ës, 42 milion lekë të reja gjatë 2013-ës duke treguar pasigurinë dhe dyshimet për aftësinë e shoqërisë.