Strategjia e konvergjencës, respektivisht përafrimit gradual të pikëpamjeve dhe opinioneve të kundërta, është një udhërrëfyes që duhet të përdoret në zgjidhjen e mosmarrëveshjes dhjetëvjeçare mes Kosovës dhe Serbisë – dhe në planin afatgjatë një qasje e tillë do të kontribuonte në stabilizimin e gjithë Ballkanit Perëndimor.

Këto janë propozimet e paraqitura në raportin e sapo publikuar “Nga kriza në konvergjencë – strategjia për luftën kundër jo stabilitetit në Ballkan në burimin e saj” të prezantuara nga Shkolla e Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara të Universitetit John Hopkins dhe Woodrow Wilson Center – një nga institucionet prestigjioze akademike të Amerikës, raporton VoA në gjuhën serbe.

Siç thuhet në tekstin e raportit, autorë të cilit janë ekspertë nga disa vende, ofron një strategji për një kthesë – jo vetëm në lidhje me, siç vlerësohet, përkeqësimin shqetësues të situatës në Ballkan, por edhe ndikimin në rritje rus dhe kinez në rajon.

“Në thelb të strategjisë është një argument i qartë: shpërbërja tre dekadash e Jugosllavisë duhet të përfundojë aty ku filloi – në Kosovë. Kjo vlen edhe për krizën e vazhdueshme në Bosnje dhe Hercegovinë. Sanksionet e SHBA-së të vendosura në fillim të janarit, edhe nëse shtrihen në një gamë më të gjerë figurash të korruptuara në vend, nuk do të zgjidhin paralizën prej dekadash dhe të padurueshme në Bosnjë”, thuhet në raport, transmeton Telegrafi.

Saktësohet se njohja e pavarësisë së Kosovës nga katër anëtarë të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), të cilat ende nuk e kanë bërë këtë (Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia), do të kontribuonte në transformimin e dialogut, i cili vlerësohet se është duke vdekur, si dhe gjithë rajonit – duke përfshirë Bosnjën e Hercegovinën.

“Të bindësh ato katër shtete anëtare të NATO-s, si dhe të pestën – Qipron, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian, por jo e Aleancës, nuk është e lehtë. Do të duhet një përpjekje e vendosur nga administrata e presidentit amerikan Joseph Biden, së bashku me aleatët kryesorë, për të bindur vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës të ndryshojnë qëndrimin e tyre. Politikëbërësit përtej Atlantikut do të investojnë në këtë përpjekje vetëm nëse janë të bindur për domosdoshmërinë, përfitimet e gjëra dhe qëndrueshmërinë e një qasjeje të tillë – dhe nëse pranojnë se qasja e tyre aktuale nuk do të funksionojë”, thuhet në dokument.

Në vend që të ushtrojë presion mbi palët që nuk janë të gatshme ta njohin Kosovën, raporti mbron një strategji të përafrimit ose konvergjimit të pozicioneve të atyre vendeve me një qasje të shumicës të cilat i mbrojnë Bashkimi Evropian dhe Aleanca e Atlantikut të Veriut.

Kjo, siç thuhet në raport, mund të arrihet nëse Perëndimi përcakton një qëndrim të përbashkët për Kosovën. Kjo tezë bazohet në pretendimin se përparimi në Ballkan varet nëse Serbia do të pranojë vendosjen e rendit në rajon bazuar në vlerat perëndimore.

“Në rastin e Serbisë kjo varet nga raporti i shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën ndaj kësaj çështjeje. Me pak fjalë, vendet evropiane që nuk e kanë bërë këtë, si dhe ato që e kanë bërë [njohur Kosovën] – janë çelësi i stabilitetit rajonal”, thuhet në tekst, transmeton Telegrafi.

Si njëra nga metodat potencialisht të suksesshme është identifikimi dhe zbatimi i procedurave që, siç është paralajmëruar, nuk paraqesin njohje të pavarësisë, por zvogëlojnë ndikimin e Serbisë dhe sinjalizojnë Beogradin dhe Prishtinën për një ndryshim të mundshëm të qëndrimeve të vendeve që nuk e njohin Kosovën.

Këtu më së shumti aludohet për bashkëpunim dhe dialog me Greqinë, njërën nga pesë vendet anëtare të BE-së, e cila konsiderohet nga bashkësia ndërkombëtare si e para që ka hequr dorë nga qëndrimi aktual parimor në lidhje me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Gjithashtu, një pjesë e vëmendjes së raportit është përqendruar në progresin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.
“Ajo që do të kontribuonte në uljen e numrit të shteteve, njohja e të cilëve nevojitet, është katër sosh. Kjo e lë jashtë Qipron – vend i cili më së paku do të jetë i vendosur të bëjë një hap drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë në tërë këtë histori futet Mbretëria e Bashkuar (anëtare e NATO-s) dhe një vend që konsiderohet si një nga mbështetësit më të rëndësishëm të pavarësisë së Kosovës. Njëkohësisht, me këtë dërgohet një mesazh i fortë dhe bindës aventurizmit rus dhe serb në rajon”, thuhet në raport.

Gjithashtu u theksua se administrata e presidentit amerikan Biden duhet të emërojë një përfaqësues të ri diplomatik, siç u tha, si të dërguar special për njohjen e Kosovës.

Një veprim i tillë, siç thuhet në dokument, do të kombinohej me një paralajmërim të qartë nga Shtetet e Bashkuara për të sanksionuar çdo lider në Shqipëri apo Kosovë që promovon çdo lloj bashkimi midis dy vendeve të pavarura.

Rëndësia e Aleancës Veriatlantike
Duke shpjeguar rolin dhe rëndësinë e hapjes së rrugës për Kosovën drejt Aleancës Veriatlantike (NATO), autorët theksojnë se kjo do të eliminonte avantazhin aktual të Serbisë ndaj fqinjëve të saj dhe në raport me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

“Në vend të kësaj, një ekuilibër do t’i lejonte Beogradit dhe Prishtinës të negociojnë një zgjidhje të vetme të mosmarrëveshjes që do të kontribuonte në stabilizimin: njohje reciproke të bazuar në Republikën e Kosovës plotësisht sovrane, unitare dhe funksionale, me mbrojtjen e plotë të komunitetit serb të Kosovës. Përfitimet e një marrëveshjeje të tillë shkojnë përtej Kosovës. Sa më i integruar të jetë veriu i Kosovës i dominuar nga serbët, aq më pak i realizueshëm është ndonjë bashkim i Kosovës dhe Shqipërisë apo ndarje e mundshme – që është një pengesë e përhershme për Shqipërinë e Madhe dhe Serbinë e Madhe”, thonë gjashtë autorët e raportit.

Kjo do ta bënte Kosovën, siç thuhet, në vend të një bastioni që përdoret nga Rusia për destabilizim dhe Kina për të zgjeruar ndikimin e saj politik, në një barrierë ndaj aspiratave etnoterritoriale dhe përmbysjeve etnokombëtare të promovuara nga Moska dhe Pekini.

Autorët e raportit gjithashtu argumentuan se forcimi i unitetit brenda unionit të vendeve perëndimore do të ishte mënyra më e mirë për të testuar gatishmërinë e Hungarisë për të promovuar dhe mbrojtur regjimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili është përshkruar si joliberal, duke përfshirë ndërhyrjen e Budapestit në punët e brendshme të Bosnjës dhe Hercegovinës, transmeton Telegrafi.

Gjithashtu u theksua se pa avantazhet dhe mundësitë e ndjekjes së një politike izoluese ndaj Kosovës, kalkulimi strategjik i Beogradit do të ndryshonte.

“Vetoja e Rusisë dhe Kinës ndaj Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të jetë me vlerë të papërfillshme për atë që Beogradi e konsideron sfidën kryesore politike dhe të sigurisë. Regjimi i Vuçiqit nuk do të jetë më në gjendje të zhvillojë një fushatë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës ose ta përdorë Kosovën për të avancuar ideologjinë e botës serbe, ose të shmangë përgjegjësinë për sulmin e regjimit ndaj rendit demokratik”, thuhet në tekst – me theks se nga Beogradi nuk duhet kërkuar në mënyrë eksplicite të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Pa mbështetje të konsiderueshme nga Moska apo Pekini për çështjen që është më e rëndësishme për Beogradin, regjimi i atjeshëm do të luftojë për të shfrytëzuar një politikë të përafrimit të qëndrimeve (konvergjencës) në planin e brendshëm dhe do të luftojë për t’u shpjeguar qytetarëve se si e humbi avantazhin që e kishte në procesin më mes Kosovës dhe Serbisë. Rendi për të cilin angazhohet Perëndimi, të cilit Beogradi i rezistoi me kokëfortësi dhe të cilin ai e minon në mënyrë aktive, më në fund do të pranohet universalisht. Parakushti për zbatimin e strategjisë perëndimore dhe zbatimin e reformave në rajon do të përmbushet”, është një nga vlerësimet e raportit.

Autorët besojnë se një zhvillim i tillë mund të kontribuojë në përmirësimin e situatës në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Ai i hap rrugën për negociata të reja për të metat e Marrëveshjes së Dejtonit me të cilën mbahet peng Bosnja e Hercegovina. Meqënëse serbët e Bosnjës pranojnë zgjidhjet e propozuara nga Perëndimi, separatizmi kroat dhe oportunizmi demografik boshnjak do të zhduken. Natyrisht, zgjidhja e çëshjtjes së Kosovës nuk i mbyll të gjitha dilemat e dhimbshme në Bosnje – por plotëson parakushtin për këtë: pranimin serb të jetëgjatësisë dhe qëndrueshmërisë së shtetit boshnjak”, thuhet në tekst.

Gjithashtu, besohet se në rast se katër anëtarë të NATO-s e njohin pavarësinë e Kosovës – kjo do t’u mundësonte serbëve dhe malazezëve të gjenin një mënyrë për të bashkëjetuar në Malin e Zi të orientuar nga Perëndimi.

“Politika në rritje transatlantike e harmonizimit të qëndrimeve për Kosovën do të inkurajojë një qasje të përbashkët ndaj bllokadës destruktive dhe të njëanshme bullgare ndaj hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në vend të zgjidhjes së disa krizave në të gjithë rajonin, konvergjenca fokusohet drejtpërdrejt në burimin kryesor të destabilitetit – rezistencën e Serbisë ndaj rendit perëndimor – dhe ofron mjetet për ta kapërcyer atë. Në vend që të bëjë thirrje për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin në NATO, raporti sheh dallime midis tyre dhe tregon rrugën drejt dy qëllimeve”, thuhet në raport, transmeton Telegrafi.

Ata vlerësojnë se politika e harmonizimit, që ofrojnë, eliminon, siç thonë ata, justifikimin kryesor për skeptikët ndaj politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian: stagnimin dhe trazirat në rajon.

“Strategjia e konvergjencës mund të nisë shpejt, me lëvizje që nuk përbëjnë njohje të pavarësisë së Kosovës, por mund të ofrojnë një nxitje të shpejtë për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, të cilin e ndërmjetëson BE-ja”, thuhet në dokument, të cilin autorët e shohin si një lloj plotësimi i qëllimeve transatlantike – duke përfshirë përpjekjet për të penguar agresionin rus në Ukrainë.
“Presidenti rus Vladimir Putin në disa raste është thirrur në rastin e Kosovës, duke e përdorur atë si justifikim dhe racionalizim për aneksimin e Krimesë nga Moska. Qëndrimi i përbashkët i Perëndimit për Kosovën hedh poshtë pretendimin e pabazuar për Ukrainën dhe frenon destabilizimin e Bosnjës dhe Hercegovinës nga Rusia. Agjitacioni i Kremlinit në Bosnjë dhe Hercegovinë varet nga Beogradi dhe jo anasjelltas”, thuhet në tekst, duke theksuar se ndikimi perëndimor me zbatimin e strategjisë së konvergjencës do të zëvendësonte, siç thuhet kërkesat e dobëta të Perëndimit ndaj regjimit të Aleksandar Vuçiçit.

Në të njëjtën kohë, autorët e konsiderojnë konvergjencën si një lloj antidoti për, siç thuhet, ndikimin gërryes politik dhe ekonomik të Kinës në rajon.

“Partneriteti strategjik i Pekinit me Beogradin e lidh pjesërisht Kosovën. Pozicioni i unifikuar i Bashkimit Evropian për Kosovën rikthen avantazhin thelbësor të këtij blloku ndaj Kinës”, thuhet në një qëndrimet e raportit “Nga kriza deri në konvergjencë – një strategji për të luftuar jo stabilitetin në Ballkan në burimin e saj”.

Autorët konkludojnë gjithashtu se, të udhëhequr nga administrata Biden, konvergjenca forcon Brukselin, duke i mundësuar Bashkimit Evropian, siç thuhet, që më në fund të luajë rolin e tij për t’i dhënë fund dramës jugosllave prej tri dekadash.

Artikulli paraprakBASHA PUBLIKON VIDEON: ZËRI I GRAVE ËSHTË I FORTË, VENDOSMËRIA E TYRE PËR T’U NDARË NGA HIJET E SË SHKUARËS E MADHE, VIZIONI I TYRE PËR TË ARDHMEN ËSHTË I QARTË
Artikulli tjetërREKORD INFEKTIMESH QË NGA FILLIMI I PANDEMISË, FRANCA REGJISTRON MBI 460 MIJË RASTE TË REJA ME COVID-19 NË 24 ORË