Shqipëria ka bërë progres dhe ka dhënë rezultate konkrete. Ky është qëndrimi i Komisionit Evropian për progresin e Shqipërisë këtë vit. Ka qenë Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili ka nënvizuar avancimin e vendit dhe sfidat në vijim, duke prezantuar progres-raportin e bërë gati për vitin 2022.
“Është vend i dytë me të cilin hapëm negociatat këtë vit. Ka vijuar të bëjë progres dhe ka dhënë rezultate. Reforma në drejtësi dhe vettingu që po vijon, janë shembuj të një pune të mirë. Shqipëria ka luftuar krimin dhe korrupsionin. Shqipëria ka mbajtur 100% linjën evropiane për pushtimin rus të Ukrainës.
E drejta e pronës, liria e medias, shteti i së drejtës janë çështje shumë të rëndësishme. Ne e kemi thënë këtë gjë edhe vitin e kaluar por këto sfida janë të rëndësishme për ne. Angazhimi politik dhe konsensusi i të gjithë aktorëve politik dhe një administratë e pavarur dhe profesionale janë të domosdoshme për të vijuar më tej”, tha ndër të tjera Varhelyi.