Ambasada amerikane ka reaguar në lidhje me raportin e fundit të ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit. Në një postim në rrjetet sociale ambasada shprehet se SHBA nxit qeverinë, partitë dhe institucionet shtetërore të zbatojnë rekomandimet e ODIHR-it, të cilat përfshijnë keqpërdorimin e burimeve shtetërore në nivel qendror dhe vendor, akuzat për blerje votash nga të gjitha palët, marrjen e masave për të siguruar fshehtësinë e votimit dhe parandalimin e frikësimit të votuesve, si dhe presionin mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit. Në deklaratë shkruhet më tej se SHBA mbështet angazhimin për të trajtuar të gjitha rekomandimet e ODIHR-it, në mënyrë që të sigurohet një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe konseguent si dhe kërkesat e popullit shqiptar për një demokraci të fortë.
Reagimi i plotë:
Ambasada e SHBA mirëpret raportin e fundit të ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit që përshkruan fushat me përmirësim të vazhdueshëm, si dhe mangësitë. Shtetet e Bashkuara nxisin qeverinë, partitë politike dhe institucionet shtetërore të zbatojnë rekomandimet e ODIHR-it, të cilat përfshijnë keqpërdorimin e burimeve shtetërore në nivel qendror dhe vendor, akuzat për blerje votash nga të gjitha palët, marrjen e masave për të siguruar fshehtësinë e votimit dhe parandalimin e frikësimit të votuesve, si dhe presionin mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit. Raporti theksoi gjithashtu nevojën për të siguruar zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit në mënyrën e duhur, dekriminalizimin e shpifjes, si dhe mbështjetjen e gazetarisë së pavarur. Shtetet e Bashkuara mbështesin angazhimin për të trajtuar të gjitha rekomandimet e ODIHR-it, në mënyrë që të sigurohet një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe konseguent si dhe kërkesat e popullit shqiptar për një demokraci të fortë.