KORRUPSIONI ËSHTË PROBLEM PËR TË GJITHA EKONOMITË BOTËRORE. Organizata Transparency International ka publikuar sot Indeksin e perceptimit të Korrupsionit për vitin 2014.Më shumë se dy të tretat e 175 vendeve të vlerësuara radhiten nën shifrën 50 në indeksin prej 0 pikësh që përshkruan vendet me korrupsion të lartë, deri në 100 pikë, që vlen për vendet e pastra.
Kosova sivjet ka marrë 33 pikë, duke u radhitur në pozitën numër 110.Ajo ka shënuar përmirësim të lehtë, nëse krahasohet me vitin e kaluar, kur ka qenë në vendin e 111-të.Shqipëria mbetet në zonën e kuqe të korrupsionit. Raporti i Organizatës Transparency International tregon se Shqipëria ndodhet në vendin 110, duke u ngjitur me 6 vende në renditjen e Indeksit të perceptimit të Korrupsionit krahasuar me një vit më parë, kur vendi ynë ndodhej në vendin e 116.Shqipëria dhe Kosova janë të vetmet vende të rajonit që radhiten në “zonën e kuqe” të korrupsionit në të njëjtin grup Ekuadorin dhe Etiopinë.Sa u përket vendeve të tjera të rajonit Maqedonia, duke qenë në vendin e 64-t, mban pozitë më të mirë se pjesa tjetër, e më pas radhiten Mali i Zi në vendin e 76-të, Serbia në vendin e 78-të dhe Bosnja në vendin e 80-të.Sipas organizatës Transparency International, korrupsioni është problem për të gjitha ekonomitë dhe kërkon nga qendrat financiare në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara që të veprojnë së bashku me ekonomitë në rritje, për të parandaluar këtë dukuri.Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit në vitin 2014 tregon se rritja ekonomike minohet dhe përpjekjet për të ndaluar korrupsionin zbehen, kur liderë dhe zyrtarë të lartë abuzojnë me pushtetin për të përvetësuar fondet publike.