Një raport i hartuar nga organizata Demokraci Plus për Institutin Kombëtar Demokratik thekson se mjedisi mediatik dhe ai politik i Kosovës janë më të cenueshëm ndaj dezinformatave dhe ndikimeve të huaja të dëmshme.
Këto komente u bënë në hapje të konferencës dyditëshe me temën: “Integriteti i Informacionit”, e organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik me seli në Shtetet e Bashkuara.
“Kapaciteti i mediave për të menaxhuar me dezinformimin është i cenueshëm. Po ashtu efikasiteti i platformave digjitale siç është Facebook-u për të kontrolluar dezinformimin me qëllim që të bëj parandalimin e dezinformimit dhe keqinformimit, ka qenë thuajse jo ekzistent në Kosovë deri tash së voni kur Facebook-u ka nënshkruar marrëveshje me një partner lokal për të bërë kontrollimin e fakteve”, tha Albana Rexha nga organizata Demokraci Plus.
Sipas raportit dezinformimi konsiderohet si sfidë shumë më e madhe në hapësirën digjitale krahasuar me mediat tradicionale.
Mjedisi politik në Kosovë sipas raportit përballet me sfida të shumta që nga qëndrimet dhe sjelljet politike të udhëheqësve, besueshmëria institucionale, cenueshmëria gjatë përditshmërisë politike dhe zgjedhjeve dhe kapaciteti institucional për të menaxhuar ndikimin e huaj keqdashës.
“Ka mekanizma të dobët ose mekanizma jo ekzistent për t’u mbrojtur nga veprimet malinje të akterëve të jashtëm. Po ashtu Kosova nuk e ka ende të konsoliduar mbrojtën nga sulmet e vazhdueshme kibernetike”, tha zonja Rexha.
Zëvendës ambasadorja amerikane në Prishtinë, Alyson Grunder tha se është jetike që të identifikohen dhe luftohen dezinformatat në Ballkanin Perëndimor, ku sipas saj veprimtaritë e huaja keqdashëse janë të vazhdueshme dhe shpesh rriten mes tensioneve politike.
“Mjedisi mediatik i Kosovës është i mbushur me keqinformata, dezinformata dhe narrativa të ashpra që shpesh shpërndahen mijëra herë gjithandej medieva sociale. Diskutimi i gjetjeve të këtij treguesi të cenueshmërisë së dezinformimit do të rrisë vetëdijen dhe të kuptuarit e ndikimeve politike të dezinformimit për Kosovën”, tha ajo duke nënvizuar se Kosova përballet me shumë sfida që mund të keqpërdoren nëpërmjet dezinformimit.
“Siç tregon vlerësimi i fundit i Institutit Kombëtar Demokratik për integritetit e informacionit, Kosova përballet me ndarje partiake, tensione etnike të pazgjidhura, dhunë me bazë gjinore dhe cenueshmëri ndaj proceseve të paqëndrueshme të politikave, tendenca këto nëse nuk kontrollohen mund ta bëjnë Kosovën të pranueshme ndaj narrativave antidemokratike të cilat përhapen shpejt dhe kanë ndikime të gjera mbi opinionin publik”, tha ajo.
Në raportin e publikuar nga organizata Demokraci Plus theksohet se rritja e përdorimit të platformave digjitale duke përfshirë portalet online, ka ndryshuar qasjen në informacion për shoqërinë në Kosovë, duke kontribuar në demokratizimin e këtij procesi por edhe në krijimin e një mjedisi për keqpërdorimin e lajmeve nga faktorë vendas e të huaj, që dëmtojnë vlerat demokratike të Kosovës.
Nëse nuk kontrollohen dezinformatat, sipas raportit, ato mund të shkaktojnë polarizime në shoqëri dhe dobësimin i besimit në vlerat demokratike të vendit. /VOA