Problematikat e shfaqura ditët e fundit me përmbytjet në jug të vendit si pasojë e mos funksionimit të hirdovorëve, argjinaturave, digave dhe kanaleve kulluese janë sjellë në vëmendjen e qeverisë që në muajin Maj 2017.
Një raport i detajuar i është vënë në dispozicion të ministrisë së Bujqësisë nga ekspertët e bordit të ujitjes dhe kullimit. Raporti prej 93 faqesh me detaje tregon të gjitha problematikat ndër vite që kërkonin ndërhyrje emergjente. Sipas këtij raporti nga 138 pompa të hidrovorëve, 102 janë në punë prej një periudhe 30-45 vjeçare. Hidrovorët kanë një fuqi të instaluar prej 28,000 kË me një kapacitet te projektuar të largimit të ujit, prej vetëm 390 m3/s. Raporti thekson se “Amortizimi i pajisjeve elektromekanike ka ulur kapacitetin e hidrovorëve me 30% kundrejt kapacitetit të projektuar. Kostoja e lartë e energjisë është një tjetër faktor negativ për rinovimin e hidrovoreve. Shumica e stacioneve kanë nevojë jo vetëm për rehabilitim, por edhe për modernizim, me qëllim përmirësimin e kapacitetit dhe efiçencën e pompave
. Duke marrë në analizë situatën e hidrovorëve të cilët bëjnë tërheqjen e ujit nga tokat bujqësore raporti evidenton se: “Rehabilitimi i 14 nga 29 hidrovorët, që kullojnë një sipërfaqe prej 70 000 ha, në zonën e Ultësirës Perëndimore nga Lezha, Durrës, Lushnjë, Fier, Vlorë dhe Sarandë, është tepër prioritare. Ky raport i ka paraprirë pikërisht përmbytjeve masive të ndodhura nga reshjet 72 orët e fundit. Nëse gjetjet e këtij raporti nuk do të kishin rënë në vesh të shurdhët montimi i rreth 43 elektropompave të reja ose 30% të pompave në total më së paku do të kishte minimizuar dëmet e shkaktuara nga përmbytja në zonën e Ultësirës Perëndimore nga Lezha, Durrësi, Lushnja, Fieri dhe Vlora. Megjithatë, raporti nënvizon se thuajse të 29 hidrovorët aktiv në zona të ndryshme të vëndit, kanë nevojë për rehabilitime në masë të ndryshme dhe ndoshta edhe për modernizim. Volumi i madh i reshjeve rrezikon të shkaktojë përmbytje për shkak të amortizimit të digave dhe rezervuarve ujëmbledhës. Sipas ekspertëve në të gjithë vëndin nga analizmi gjendjes teknike të 626 digave, rezulton se 410 (ose 65% e numrit të përgjithshëm), paraqesin probleme të theksuara teknike dhe kërkojnë vëmendje urgjente si përsa I takon sigurisë së digave ashtu edhe volumit të disponueshëm të ujit në rezervuarë
. Megjithatë në këtë raport si shkak kryesor i përmbytjeve mbeten ndërtimet pa leje mbi veprat hidrike si kolektorë, kanale kullimi dhe në afërsi të argjinaturave të lumenjve dhe rezervuarëve. Raporti thotë se “janë rreth 3285 ndërtime pa leje në infrastrukturën ujitëse, kulluese dhe të mbrojtjes nga përmbytja. Këto ndërhyrje ndikojnë negativisht në infrastrukturën e ujitje/kullimit apo mbrojtjes nga përmbytjet.