Shqipëria mbetet burim për trafikimin e qenieve njerëzore në Bashkimin Evropian për qëllime të shfrytëzimit seksual, për punë, lëmoshë, veprimtari kriminale apo për martesa artificiale me shtetas evropianë.
Në botimin vjetor të Qendrës Evropiane për Trafikimin e Emigrantëve raportohet se viktimat e shfrytëzimit të identifikuara nga autoritetet europiane në vitin 2018 ishin kryesisht nga vende jo anëtare të unionit.
“Shumica e viktimave të shfrytëzimit seksual kanë prejardhjen nga shtetet e Evropës Lindore. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm i viktimave të identifikuara nuk janë shtetas të BE-së, dhe vijnë kryesisht nga Shqipëria, Brazili, Kina, Nigeria dhe Vietnami, çka dëshmon edhe dimensionin ndërkombëtar të këtij fenomeni.”
Raporti i Europolit tregon po ashtu se megjithëse numri i emigrantëve të pa dokumentuar që tentuan të vijnë në Bashkimin Evropian u ul më tej vitin e kaluar, Shqipëria sërish luajti rolin e një nyje lidhëse për trafikimin e tyre përgjatë rrugës ballkanike, ku përfshihen shtete si Greqia, Kroacia, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.
Në vitin 2018, përgjatë rrugës ballkanike u diktuan mbi 6,600 emigrantë të pa dokumentuar që udhëtonin të fshehur në mjete të ndryshme transporti, si vetura, furgonë apo kamionë.
Të tjerë që zgjodhën rrugë më pak të rrezikshme udhëtuan me avionë duke përdorur pasaporta ose karta identiteti të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, ndërsa të tjerë përfituan nga procedurat e azilit për të lëvizur në vende të ndryshme evropiane.