Paga është faktori kryesor i largimit të krahut të punës nga Shqipëria. Afro 40% e fuqisë punëtore aktive e Shqipërisë, po punon jashtë vendit, thuhet në raportin global për vitin 2024, të Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin. Mungesa e perspektivës për punësim të mirë dhe të paguar janë faktorë kyç që po shtyjnë qytetarët drejt emigracionit, vijon raporti i cili evidenton Shqipërinë dhe Moldavinë si dy shtetet më të prekura nga emigrimi i punëtorëve.

“Vendet si Shqipëria dhe Republika e Moldavisë janë nga më të goditurat. Rreth 40 për qind e fuqisë punëtore të Shqipërisë, për shembull, vlerësohet të jetë duke punuar jashtë vendit. Normat e larta të varfërisë, hendeqet e pagave midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, korrupsioni i konsiderueshëm dhe klientelizimi, ndër të tjera faktorët, kontribuojnë në vendimet e njerëzve për t’u larguar nga vendi”, thuhet në raport.

Emigrimi i profesionistëve por jo vetëm, sipas organizatës ka ndikuar negativisht në industri, të cilës i mungojnë punonjës, si dhe po ushtron presion mbi ekonominë e vendit. Duke u përqendruar tek shtetet e kthyera në ‘strehë’ për të larguarit, në raport citohet rasti i Anglisë, duke thënë se mijëra të rinj shqiptarë, kanë bërë udhëtime të vështira duke u përpjekur të arrijnë Evropën Veriore, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, dhe shumë rrezikojnë jetën e tyre duke kaluar Kanalin Anglez në varka të vogla ose gomone. Vala e emigrimit thuhet në raport ka prekur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, shtete që shpesh përdoren edhe si tranzit, ku Serbia klasifikohet si kryeqendra e tranzitit, në tentativë për të kaluar në vendet e BE-së. Tre kombësitë më të mëdha që mbërrijnë në Ballkan me synim kalimin në shtetet e BE-së janë afganët, sirianët dhe pakistanezët.

Artikulli paraprakZJARRI I RËNË NË VAU DEJËS PËRHAPET EDHE NË TERRITORIN E LEZHËS
Artikulli tjetërKONFERENCA “DIPLO 2024”, MINISTRI HASANI LAJMËRON KRIJIMIN E …