Bashkimi Evropian ka vlerësuar emërimin e Nenad Rashiçit si ministër për Kthim dhe Komunitete, një ditë më parë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të cilët janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Peter Stano, zëdhënësi i BE-së, në një konferencë për media e cila u zhvillua të premten tha se është e rëndësishme që emërimet e ministrave të jenë në përputhje me aktin më të lartë juridik të Kosovës. Stano tha: “Është shumë e rëndësishme që të gjitha emërimet e ministrave të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. U bëjmë thirrje autoriteteve në Kosovë që të sigurojnë respektimin e Kushtetutës. Sipas leximit tonë preliminar, ky emërim nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”. Gjithashtu, Stano tha se vendet e BE-së vazhdojnë t’u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të evitojnë veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të situatës në Kosovë.

Stano tha: “Situata e sigurisë në terren është e brishtë dhe duhet të punohet për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës”. Vendimin e Kurtit, Serbia e ka konsideruar shkelje duke thënë se Rashiçi nuk përfaqëson serbët e Kosovës. Pozita në të cilën është emëruar Rashiçi, deri në fillim të nëntorit mbahej nga Goran Rakiç, i cili ka dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar targat ilegale serbe në veri të Kosovës.

Për këtë arsye dorëheqje nga institucionet e Kosovës kanë dhënë edhe zyrtarë tjerë serbë nga veriu.

Artikulli paraprakKËSHILLA TË ZGJUARA PËR TË QËNDRUAR NË FORMË GJATË FESTAVE TË FUNDVITIT DHE PËR TË MOS SHTUAR SHUMË KILOGRAMË
Artikulli tjetër“RRUGËT DO TË JENË TË QYTETARËVE SHQIPTARË”, BERISHA PËR PROTESTËN E 6 DHJETORIT