Pas rasteve të shumta të dhunës, bullizmit dhe kërcënimeve në rrjetet sociale, autoritet vendasve janë të fokusuar në ndryshimin e ligjit me qëllim parandalimin dhe dënimin e ashpër për autorët e këtyre rasteve.

Në Shqipëri ndodhet edhe një nga drejtuesit e TikTok, Jakub Olek, drejtor për Politikat Publike dhe Marrëdhëniet me Qeverinë, i cili bashkë me ministrin e Brenshëm Taulant Balla zhvilluan një seancë pyetje-përgjigje me nxënës të shkollave të mesme të Tiranës.

Paketa e Sigurisë në shkolla po fokusohet edhe tek vigjilenca kundër dhunës, dezinformimit, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online.

Përfaqësuesi i TikTok shtoi se TikTok ka mbi 40 mijë punonjës të angazhuar për sigurinë e platformës dhe se në platformë nuk tolerohet asnjë lloj forme dhune, gjuhë urrejtjeje apo bullizmi. Nisur nga ngjarjet e fundit në Shqipëri, të cilat i cilësoi si shumë të trishtueshme, Olek deklaroi se janë duke diskutuar për të përmirësuar platformën.

“Në platformë nuk duam asnjë lloj forme dhune, gjuhë urrejtjeje, bullizmi ose dhunë ndaj grave. Kjo është diçka që nuk ka vend në platformën tonë dhe është hequr nga platforma kur ka përmbajtje të tilla, ose edhe kur përdoruesit krijojnë përmbajtje të tilla, ata do të hiqen nga platforma tërësisht. Ngjarjet e fundit në Shqipëri që kanë qenë shumë të trishtueshme, sigurisht ne i kemi parë me shumë kujdes dhe kemi diskutuar në ekip sesi mund të përmirësojmë platformën”, u shpreh përfaqësuesi i lartë i Kompanisë.

Balla u shpreh se jemi në kohën e duhur për të rritur vigjilencën sa i përket një sërë fenomenesh që ndodhin çdo ditë, që kanë të bëjnë me dhunën online, me shantazhin brenda apo jashtë shkollës.

“E kam shprehur shqetësimin sesi në këtë rrjet ka një gjuhë të pakontrolluar, mesazhet e një gjuhe tërësisht të pahijshme duke shkuar pastaj edhe në promovimin e veprimtarive të ndryshme kriminale, sikurse mund të jetë edhe përdorimi i lëndëve narkotike. Janë një shqetësim për ne, janë një shqetësim për mua si Ministër i Brendshëm, por më shumë se kaq, janë një shqetësim për mua edhe si një baba i një djali 14-vjeçar, dhe se përgjegjësia ime është njëlloj për të gjithë ju dhe për të gjithë moshatarët tuaj”, nënvizoi ministri i Brendshëm.

Artikulli paraprakAMNISTIA PENALE, BASHA: NUK E VOTOJMË PA AMNISTUAR PROTESTUESIT E OPOZITËS, PS PLAN PËR TË LIRUAR ZYRTARËT E KORRUPTUAR
Artikulli tjetërMEDIAT FRANCEZE: SHQIPËRIA, PERLA E FSHEHUR E BALLKANIT! NGA PLAZHET E KRISTALTA TE NATYRA NË VERI, PEIZAZHE QË TË LËNË PA FRYMË