Familjarët e gjashtë shqiptarëve të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e pesë maqedonasve në Smillkovcë të Shkupit
, i njohur ndryshe si rasti “Monstra”, thonë se janë të dëshpëruar nga Prokuroria Speciale, e cila në fund të afatit për paraqitjen e padive për shpërdorime të ndryshme, nuk nisi hetime edhe për këtë ngjarje që vazhdon të jetë aktuale në vend.
Nga këshilli i familjarëve të personave të dënuar, thonë se tani dy vjet e gjysmë i ka mbajtur shpresa se megjithatë ky institucion do të zbardhë të vërtetën se në këtë vrasje nuk kanë gisht të afërmit e tyre, por se bëhet fjalë për rast të montuar, për të cilët ka folur edhe kryeministri aktual, Zoran Zaev i cili edhe ka publikuar aferën e përgjimeve.
Zaev në disa rast kishte thënë se nga bisedat që ka dëgjuar nga materialet e siguruara e vërteta është ndryshe nga ajo që është paraqitur në opinion, duke aluduar se vrasësit e vërtetë të maqedonasve janë persona krejt të tjerë. “Definitivisht çdo gjë e ka humbur logjikën. Deri tani kemi mbajtur shpresën se Prokuroria Speciale sa më parë do të merret me rastet më të rënda, por kjo nuk ndodhi”, thotë Bedri Hajdari, kryetar i këshillit të familjeve të rastit “Monstra”.
“Ne do të vazhdojmë betejën, kurdo qoftë, një ditë, qoftë pozitivisht apo negativisht do të marrim një përgjigje. Besojmë se Maqedonia nuk është fundi i botës, pasi ka edhe vende tjera ku ne do të kërkojmë drejtësinë”, thekson Bedri Hajdari. Nga Prokuroria Speciale, të mërkurën thanë se për këtë rast nuk kanë nisur hetime, meqë institucionet tjera përkatëse nuk i janë përgjigjur thirrjeve të saj që ky rast të kalojë në kompetencë të Speciales.
Por, nga Prokuroria Themelore e Shkupit kanë thënë se Prokuroria Speciale asnjëherë nuk ka paraqitur një kërkesë të tillë. Të njëjtën e kanë thënë edhe nga Këshilli i Prokurorëve të Maqedonisë. Pakënaqësi ndaj punës së Prokurorisë Speciale kanë shprehur edhe ekspertët e çështjeve juridike. Ata dyshojnë që ky institucion ka vepruar në mënyrë selektive, jo vetëm për rastin “Monstra”, por edhe ndaj zyrtarëve të BDI-së, të cilat janë kursyer nga hetimet apo akuzat, përveç dy personave nga rreth 100 sa janë përballur me padi penale.
Për këtë, Naser Zyberi, jurist i njohur fajëson edhe LSDM-në e Zoran Zaevit. “LSDM-ja në fazën e publikimit të përgjimeve, për aq sa publikoi, nuk dha asnjë përgjim pikant në të cilën do të dukej implikimi i përfaqësuesve të BDI-së në shpërdorime të mundshme”, thotë Zyberi. “Elementi tjetër që krijon këtë përshtypje është fakti se BDI-ja vazhdon të jetë pjesë e pushtetit dhe te qytetarët ekziston bindja se ai që është në pushtet është vështirë të vihet para përgjegjësisë”, thekson ai.
Se Prokuroria Speciale më tepër ishte në funksion të partive të tanishme në pushtet, sipas tij, flet edhe fakti se Zaev, i ishte drejtuar Speciales me një letër ku fliste mbi pastërtinë e anëtarëve të propozuar të Qeverisë së tij. “Mendoj se ishte hap i gabuar edhe i kryeministrit, por edhe i Prokurorisë Speciale. Paraqitja e kërkesës nga Zaev dhe dhënia e shpejtë e përgjigjes nga Prokuroria ishte gabim, për arsye se vet nga Prokuroria Speciale thonë se vetëm 20 për qind e propozimeve deri më tani janë përpunuar dhe dëgjuar”.
“Nga këtu shtrohet pyetja se prej nga guximi i Prokurorisë që të jap përgjigje se asnjë nga anëtarët e Qeverisë nuk janë nën hetime, kur edhe 80 për qind e përgjimeve nuk janë dëgjuar dhe nuk e dimë se çfarë do të del nga to”, thotë Zyberi.
Prokuroria Speciale të mërkurën ngriti aktakuza ndaj 94 personaliteteve të ndryshme, në mesin e të cilëve janë ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish- ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska, ish- ministrat e transportit dhe kulturës, Mile Janakievski dhe Elizabeta Kançevska, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, dy zyrtarë të BDI-së si dhe dhjetëra ish-zyrtarë të tjerë.
Të gjitha ata akuzohen për shpërdorim detyre, mashtrime zgjedhore, kurdisje tenderësh dhe vepra tjera penale të dënueshme sipas Kodit penal të Maqedonisë.