Kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi ka reaguar pas ngjarjeve kriminale të ndodhura në Shkodër në pak orë, fillimisht plagosjes së kalimtares Liljana Jeremia nga përplasja me armë e katër personave që kanë një konflikt të hapur prej kohësh për pazare droge dhe më pas një tjetër ngjarje, tritoli i vendosur në banesën e ish basketbollistit dhe ish punonjësit të tatimeve në Shkodër Nikolin Arra në orët e para të mëngjesit.
Kryebashkiakja Ademi në një reagim të saj të postuar në rrjetin social Facebook thotë se është e shqetësuar për këto ngjarje që kanë tronditur qytetin e Shkodrës. Kryebashkiakja gjithashtu në këtë reagim të saj ka një thirrje për ministrin e brendshëm Sandër Lleshaj, drejtorin e përgjithshëm të policisë por edhe policinë vendore të Shkodrës ndërsa ofron ndihmesën e saj për zbardhjen e këtyre ngjarjeve të ndodhura. Ja se çfarë shkruan kryetarja e bashkisë Ademi në reagimin e saj:
“Shumë e shqetësuar për ngjarjet e rënda që kanë tronditur rendin publik në qytetin e Shkodrës! Në qendër të Shkodrës, në Pedonalen tonë, aty ku ne lëvizim në çdo moment të ditës, krimi godet! Një person i pafajshëm plagoset, thjesht duke qenë kalimtar. Pak orë më pas, në një lagje tjetër të Shkodrës, një shpërthim eksplozivi ka ngjallur ankth tek qytetarët!
I bëj thirrje Ministrit të Brendshëm, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtuesve vendorë të Policisë, të zbardhin një orë e më parë këto ngjarje kriminale dhe të vënë para përgjegjësisë autorët. Mbështetja ime personale, por edhe e strukturave të Bashkisë Shkodër nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë.
Secili duhet të marrë përgjegjësitë ligjore që i takojnë! Shkodra, shkodranët, kanë nevojë për rend dhe siguri në rrugët ku ata lëvizin dhe sidomos, në shtëpitë e tyre. Është detyra e strukturave të shtetit t’ua garantojë këtë”.
Kalimtarja Liljana Jeremia mbeti e plagosur rastësisht teksa shtetasit Arxhend Rexha, Ension Buraku dhe Riad Xheladini i bënë atentat shtetasit Mirsad Meta i cili iu kundërpërgjigj pasi ishte i armatosur ndërsa në total janë rreth dhe plumba të qëlluar nga pistoletat e këtyre shtetasve.
Pa u bërë katër orë nga kjo ngjarje një shpërthim i fuqishëm me tritol tronditi banorët e lagjes “Qafë Hardhi” në Shkodër teksa objektiv ishte shtëpia e ish basketbollistit dhe ish inspektorit të tatimeve në Shkodër Nikolin Arra i cili është jashtë Shqipërisë bashkë me familjen e tij.