Real Madrid ka mundur 1-0 ekipin brazilian të Gremio-s në finalen e Botërorit për Klube që sapo është mbyllur në Abu Dhabi. Madrilenët janë bërë skuadra e parë në histori që ka fituar këtë kompeticion dy herë radhazi. Gjithashtu, skuadra e Zinedine Zidane ka barazuar Barcelona-n si skuadra me më shumë Botërore për Klube të fituar, me 3 trofe.

Por ky ka qenë Botërori i katërt për klube i fituar nga Ronaldo. Siç e tregon edhe rezultati, ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Mohammed Bin Zayed” ka qenë e luftuar.

Është dashur një magji e Cristiano Ronaldo në minutën e 58-të për të zhbllokuar takimin. Ylli portugez ka fituar një goditje dënimi, të cilën e ka transformuar në gol me një ekzekutim perfekt. CR7 është bërë lojtari i parë në histori që shënon në dy finale të njëpasnjëshme të Botërorit për Klube dhe golashënuesi më i mirë i kompeticionit me 7 gola.

Pak minuta më vonë ai ka realizuar edhe golin e dytë, por arbitri e ka anuluar për një pozicion jashtë loje, shkruan telesport. Fitorja mund të kishte qenë më e thellë për spanjollët, por portieri i brazilianëve ka arritur të neutralizojë tentativat e Ronaldo me shokë.

Ky ka qenë trofeu i pestë që Real i Zidane ka fituar në një vit kalendarik pas Champions League, La Liga-s, Superkupës së Europës dhe Superkupës së Spanjës.

Artikulli paraprakDROGË NË PORTIN E DURRËSIT
Artikulli tjetërGJENDET I VRARË ME ARMËN E TË ATIT DJALI I ISH-KRYEMINISTRIT TURK