LJAJIÇ SHPËTON ROMËN, BARAZIM I VUAJTUR NDAJ SASSUOLOS Cristiano Ronaldo bëri gjithçka në fitoren 3-0 të Real Madrid ndaj Celta Vigo në stadiumin Santiago Bernabeu të shtunën në mbrëmje. 

 

Sulmuesi portugez fitoi një 11-metërsh duke simuluar e duke e shndërruar në gol. Më pas shënoi dy gola të tjerë për të vulosur fitoren e 18 radhazi të madrilenëve, të cilët barazojnë rekordin e Barcelonës dhe vazhdojnë të kryesojnë renditjen e kampionatit spanjoll.

Edhe pse Reali nuk ishte në formën e tij të zakonshme, Celta nuk arriti për asnjë moment të rrezikonte portën e mbrojtur nga Iker Casillas. Në fakt, miqtë nuk goditën asnjëherë në portë gjatë 90 minutave. Pritej më shumë nga një skuadër që ka mundur Barcelonën në “Camp Nou” vetëm një muaj më parë (0-1).

 

Përsa i përket Cristianos, ky është tregolëshi i tij i 23-të në kampionatin spanjoll, duke u bërë kështu lojtari i parë në histori që arrin këtë shifër, duke kaluar Di Stefanon dhe Zarra-n. Gjithashtu, kjo  është ndeshja e 17 radhazi që portugezi arrin të shënojë në “Santiago Bernabeu”. Sulmuesi ka që nga 19 tetori 2013 që shkund rrjetën në ndeshjet brenda të Realit.

 

Ne kampionatin Italian, Roma-Sassuolo përfundoi me rezultatin 2-2. Në pamje të parë duket një rezultat negativ për skuadrën që renditet në vendin e dytë të Serisë A, por duke parë si shkoi ndeshja, djemtë e Rudi Garcias duhet të ndihen të lumtur që kanë marrë 1 pikë nga një përballje e lehtë në letër për ta. 

 

Zaza shënoi një dygolësh në pjesën e parë (15’ dhe 18’) pas gabimit të portierit De Sanctis dhe një tjetër gabimi në rreshtim të mbrojtësve të Romës, por Ljajiç në minutën e 78’ dhe 92’ (me 11-metërsh) barazoi gjithçka.

 

Duhet theksuar se Roma e arriti këtë barazim duke luajtur me 10 lojtarë që nga minuta e pestë e pjesës së dytë, kur De Rossi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

 

Në ndeshjen tjetër të Serisë A që u luajt të shtunën në mbrëmje, Torino dhe Palermo ndanë nga 1 pikë pas barazimit po me rezultatin 2-2.

Artikulli paraprakBASKETBOLL, VLLAZNIA HAP FALS ME TIRANËN
Artikulli tjetërVOLEJBOLL, VLLAZNIA KALON SKËNDËRBEUN