Energjia, reduktim ose zerim kamate për familjet në nevojë në fund të vitit

 

Për periudhën 2014-2016 rezulton të jenë nënshkruar në total 424,405 aktmarrëveshje mes abonentëve familjarë dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duke përfituar nga skemat lehtësuese të shlyerjes së borxheve të prapambetura të energjisë. Rreth 65 mijë prej tyre janë lidhur prej abonentëve me ndihmë ekonomike, pensionistë kryefamiljarë dhe me status të veçantë. Ministri Gjiknuri tha se pavarësisht vështirësive ekonomike ata që i janë përgjigjur pozitivisht kësaj nisme do të shpërblehen në fund të vitit. “Janë 424 mijë konsumatorë familjarë të cilët i janë përgjigjur pozitivisht të gjithë këtij aksioni në dy vjet. Po diskutojmë tanimë dhe shqyrtojmë mundësinë që në fund të vitit, të mund të ndihmojmë edhe më tej familjet në nevojë. Pra të fillohet të eliminohet edhe një pjesë e borxheve të vjetra për qytetarët. Kuptohet për ata njerëz që kanë qenë të rregullt, siç keni qenë ju” u shpreh Gjiknuri. Ju garantoj, vijoi ai, se në fund të vitit do të keni lajme shumë të mira në këtë drejtim. “Të gjithë qytetarët e rregullt që iu bashkuan kësaj reforme kontribuuan e ne ju kemi një borxh. Do t’jua kthejmë këtë borxh duke iu bërë lehtësira të tjera financiare. Pse? Kush është i rregullt shteti e shikon. Kontribuon në shtet dhe do të marrësh diçka mbrapsht”, nënvizoi ministri Gjiknuri. Administratori i OSHEE-së Çela tha se po parashikohet që në fund të vitit, specifikisht për kategorinë e familjeve me ndihmë ekonomike, invaliditetit dhe pensionistët kryefamiljarë, të cilët kanë qenë të rregullt me pagesën e energjisë elektrike e të kamatëvonesave në aktmarrëveshje, të ketë një reduktime dhe të mëtejshme. “Ndoshta edhe një pagesë simbolike dhe zerim të kamatëvonesës. Këshilli Mbikëqyrës dhe Asambleja janë duke i parë, duke bërë llogaritë përkatëse dhe brenda Dhjetorit do të dilet me një propozim të ri që besoj do të jetë një ndihmë për familjet tuaja”, theksoi Çela.

Artikulli paraprakTE DREJTAT E AUTORIT ,HYN NE FUQI LIGJI I MIRATUAR NE MARS
Artikulli tjetërFUNDI I “XHUNGLES CALAIS “,FAZA E DYTE E SHKATERRIMIT,LARGOHEN 2000 REFUGJATE