Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot shtesat dhe ndryshimet në strukturat dhe organikat e disa institucioneve publike. Kryetarja e këtij komisioni, Klotilda Bushka informoi se kjo është një procedurë rutinë formale, pasi komisioni thjesht konfirmon se institucionet publike të cilat do të duhet të përshtasin klasat e tyre të pagave apo strukturat me legjislacionin e ri, ligjin apo VKM-në, në kuadër të reformës së pagave kanë marrë konfirmimet nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Administratës Publike.
“Këto institucione vijnë këtu për të marrë edhe konsensusin dhe miratimin e këtij komisioni që strukturat të kalojnë në seancë plenare”, shtoi ajo.
Në mbledhjen e sotme, komisioni zhvilloi seanca dëgjimore me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, drejtuesin e Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, Çelo Hoxha si dhe përfaqësues të KQZ-së. Komisioni miratoi projektvendimin “Për disa shtesa e ndryshime në vendimin e Kuvendit për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimin e pozicioneve të punës të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, si dhe shtesat dhe ndryshimet në vendimin për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimin e pozicioneve të punës të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri”.
Po ashtu, në mbledhjen e sotme u miratua edhe kërkesa mbi propozimin për miratimin e strukturës dhe organikës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Komisioni i ligjeve miratoi po ashtu edhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për avokaturën e shtetit”, bashkë me amendamentet e propozuara.