Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shembuj konkretë të rritjes së pagave për kategori të ndryshme të mjekëve. Për ta bërë më konkret efektin e rritjes së pagave të mjekëve, kryeministri iu referua pagës së re të mjekes së përgjithshme Vilma Stërkeshi, të cilës në maj 2023 i shkon në 108 796 lekë, ndërsa në vitin 2024 i shkon në 128 796 lekë. Rama tha se “pagat e reja, falë të cilave paga mesatare në Shqipëri thuajse dyfishohet duke arritur majën historike të 900 eurove në 2024, janë frut i një përpjekjeje të gjatë, këmbënguljeje e durimi të madh për reforma të vështira e masa të domosdoshme për ekonominë dhe për financat tona”. Rama shtoi se ato janë rezultat i rritjes së të ardhurave falë rritjes së ekonomisë, tregtisë, investimeve publike e private, rritjes së prodhimit e të eksporteve, modernizimit të sistemit të mbledhjes së taksave përmes kompjuterizimit të transaksioneve në kohë reale.
“Pagat e reja janë frut i lehtësimit e rritjes së shpejtësisë së shërbimeve për biznesin falë digjitalizimit të tyre, forcimit të shtetit në tërësi dhe uljes së ndjeshme të korrupsionit në tatime e dogana, po mbi të gjitha, pagat e reja janë frut i punës sonë të përbashkët, të çdo shqiptari e shqiptareje, që në shtet a në privat, kontribuon për ekonominë shqiptare me punën e vet”, tha ai.
Qeveria shqiptare po ndërmerr një reformë të madhe në sistemin e pagave, me qëllim rritjen e mirëqenies për çdo qytetar, si dhe vlerësimin e profesionistëve bazuar edhe në kontributin e tyre ndër vite. Reforma do të zbatohet me dy hapa për t’u përmbyllur në harkun kohor të një viti. Paga mesatare, në përfundim të implementimit të plotë të reformës së pagave, do të shkojë në 900 euro, nga 530 euro që është sot. Reforma e pagave nisi këtë prill me rritjen e pagave për mjekët, mësuesit dhe forcat e sigurisë, ku përfshihen Policia e Shtetit, ajo e burgjeve dhe zjarrfikësit.