Presidenti Bujar Nishani përmes një letre publike drejtuar komisionit të posacëm për reformën në drejtësi, për dijeni kryetarit të Kuvendit Meta dhe krerëve të grupeve parlamentare të PS, PD dhe LSI, thotë se ka procesi po zhvillohet në mungesë të plotë transparence. Kreu i shtetit thotë se në kundërshtim me vendimin e vetë komisionit, ai thotë se asnjë nga tryezat e organizuara nuk është bërë nën kujdesin e Presidentit, sic është vendimi.

Kjo sipas Nishanit, reflekton “mungesën e plotë e të njëanshme të bashkëpunimit me këtë institucion”. Nishani flet për shmangie të qëllimtë të rolit të Presidentit nga ky proces, e cila sipas tij dëmton rëndë procesin dhe çdo akt që del prej tij.”Presidenti i Republikës është ftuar të marrë pjesë në disa aktivitete selektive, me njoftim të momentit të fundit, duke pamundësuar kontributin mbi thelbin dhe përmbajtjen e çështjeve të diskutuara. Dorëzimi i materialeve bazë në momentin e fundit, është ngritur si shqetësim edhe nga aktorë të tjerë, duke e bërë thuajse të pamundur diskutimin përmbajtësor gjatë takimeve të organizuara. Referuar vendimit nr.4, datë 22.12.2014 “Për ngritjen e Sekretariatit Teknik”, Institucioni i Presidentit të Republikës ka caktuar një përfaqësues, i cili nuk është ftuar as edhe një herë në takimet Sekretariatit. Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është ftuar të ketë përfaqësues në Grupin e Ekspertëve të Nivelit të Lartë, pavarësisht proces-verbalit të mbledhjes së Komisionit të Posaçëm dt. 22.12.2014. Në asnjë rast nuk janë realizuar intervista apo takime me Institucionin e Presidentit lidhur me hartimin e raportit analitik për Reformën në Drejtësi, siç pretendohet në pikën IX të vendimit 96/2014. Në muajin Maj 2015, u realizuan me shpejtësi 6 tryeza pune, dhe Presidenti i Republikës është ftuar të ketë përfaqësinë e tij vetëm në një prej tyre, në datë 18 Maj 2015″, thuhet në letrën e kreut të shtetit.

Artikulli paraprakZV.AMBASARORI BRITANIK STEPHEN HICKLING FLET PËR STAR PLUS
Artikulli tjetërVIHET NË FUNKSION MAMOGRAFIA E POLIKLINIKËS